Cambridge Analytica, firmë konsulente me seli në Britani, tha se do të mbyllet, pas akuzave se ka keqpërdorur të dhënat e miliona përdoruesve në Facebook, për të ndikuar zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.
“Kemi vendosur se nuk është më e dobishme të vazhdojmë biznesin”, tha kompania, duke shtuar se, së shpejti, do të nisë procedurat e falimentimit në SHBA dhe Britani.
Cambridge Analytica, kompani e angazhuar nga fushata zgjedhore e presidentit të tanishëm amerikan, Donald Trump, është bërë objektiv i hetimeve, pasi një ish-punonjës i saj ka zbuluar se ajo ka pasur qasje të paligjshme në të dhënat e miliona përdoruesve në Facebook dhe se i ka përdorur ato për të ndikuar votuesit në SHBA.
Cambridge Analytica e ka mohuar se i ka shfrytëzuar këto të dhëna për të ndihmuar fitoren e Trumpit./sn/