Analisti Arsim Zekolli në një bisedë për INA ka komentuar propozimin e fundit për emrin Republika Ilindenase e Maqedonisë, duke nënvizuar se marrëveshja e fundit, pra propozimi Ilinden, kishte më pak të bëj me vet emrin dhe më shumë me pranimin e formulës juridike për përdorim të emrit të ri.
“Pra, propozimi i emrit ishte për të tërhequr veëmendjen nga thelbi i pranimit de facto të formulës Erga Omnes, i.e. për përdorim të gjithëmbarshëm jashtë dhe brenda vendit. Sa i përket vet emrit, përshtypja ime është se vet emërimi është derivat i variacioneve të tjera që mund të konsiderohen më të pranueshme për grekët dhe të qetësojnë emocionet e maqedonasve.”, nënvizon Zekolli.
Sipas tij një marrëveshje në të ardhmen midis dyja palëve do të ketë reperkusionet e saj në planin e brendshëm.
“Në momentin e nënshkrimit të Marrëveshjes mes përfaqësuesve nga dy vendet, ai do konsiderohet final për bashkësinë ndërkombëtare, e cila do e interpreton si sukses për të vazhduar ecjen drejt integrimeve. Sa do të konsiderohet si i tille në dy vendet, kjo është diskutabile. Gjithsesi se marreveshja do ketë reperkusione të thella në skenën politike, posaçërisht nëse do ketë Referenendum. Do thoja bile se lëvizjet që do pasojnë pas miratimit të emrit të ri do kenë intenzitet më të madh se ato pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Të mos harrojmë se pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit Ali Ahmeti dhe BDI kishin përkrahje absolute te shqiptarët, ndërsa sot Zaev akuzohet tradhëtar maqedonas, ndërsa LSDM është me rejting tejet të ulët. Pra, tensioni nuk buron dhe nuk mbaron vetëm me akordimin e emrit, por do vazhdon dhe sfidohet gjate implementimit të marrëveshjes për emrin dhe nëse LSDM do ketë përkahje të mjaftueshme për të kryer këtë detyrë. Druaj se implementimi i Marrëveshjes do ketë pasoja helmuese për cilësinë e demokracisë edhe ashtu të brishtë në Maqedoni.”, vlerësoi për INA, diplomati Arsim Zekolli.
Ai ka komentuar edhe emërtimin e modifikuar dhe kontrovers të Ilindenit në Ilinditase, por edhe dimensionin iredentist të këtij propozimi.
“Pala Maqedonase është ca kontradiktore në qasjen e saj ndaj propozimit Ilinden për të cilin këmbëngulë se nuk ka aspekte apo dimensione iredentizmi. Por, në realitet, për maqedonasit Ilinden është po ajo që për ne Shqiptarët është Lidhja e Prizrenit. Dhe ne kujtojmë se maqedonasit ndaj Lidhjes së Prizrrenit mbajnë po të njejtin qëndrim akuzues sikur grekët ndaj propozimit Ilinden. Kështu që, nëse bazohemi mbi percepcionin maqedonas, duhet pranuar qëndrimin grek se emri Ilinden vërtet ka dimension iredentist”, thotë Zekolli.
Lidhur me versionin e modifikuar shqip, ai shton se ky është problem shumëfish më i vogël se vet mënyra e miratimit të propozimit mes LSDM dhe BDI.
“Besoj se kemi mjaft gjuhëtar kompetent që do sqarojnë aspektin linguistik. Por më shumë se shqiptimi, është procesi për miratim të tij që është problematik, është diskutabil dhe me potencial real të shëndrrohet në mollë sherri për gjenerata rresht, mu fal jotransparencës dhe absolutizmit që refuzon dhe ndalon debatin publik, në të cilin do shoshiteshin argumentet pro dhe kontra. Transparenca dhe inkluziviteti ndërshqiptar do minimizonte reagimet negative dhe do parandalonte që maqedonasit të kosntatojnë se “Ilindeni qenka i pranueshëm për shqiptarët” pa pyetur apo konsultuar fare shqiptarët!”, theksoi analisti Zekolli.
Sipas tij, BDI nuk është e autorizuar të sjellë vendime në emër të gjithë shqiptarëve, ashtu siç Aleanca nuk është representative për gjithë opozitën, si dhe Besa nuk është zëri ekskluziv i muslimanëve.
“Cekësia e një grupimi të vogël që të sjellë dhe miraton vendime pa konsultime me spektrin e gjerë të shoqërisë nuk mund të sjellë rezultat pozitiv final pa pasoja për të gjithë shqiptaret. Logjika se nëse është e mirë për BDI, është e mirë për shqiptaret ka rezultuar shumë herë me pasoja katastrofale për shqiptarët dhe të mira astronomike për BDI. Nuk kam aspak dyshim se edhe ky shembull i kidnapimit të vullnetit shqiptar për interesa të BDI do rezulton me pasoja negative për gjithë ne. Nga ky anakronizëm BDI nuk mund të pritet përparim as për shqiptarët as për Maqedoninë”, nënvizoi për INA analisti Arsim Zekolli. (Bisedoi: N.Pajaziti)