Akuza në adresë të kryetares së Tetovës Teuta Arifi për mos realizimin e premtimeve të saj rreth shpenzimeve si dhe projekteve që kanë të bëjnë me hapësirat e gjelbra, pastrimin e rrugëve dhe transportin publik. Arjanit Xhaferi nga “Eco Guerilla” tha se Teuta Arifi si kandidate për kryetare kishte premtuar se do të publikojë shpenzimet e dhjetë viteve të kaluara. Xhaferi tha se e para e Tetovës ka mashtruar qytetarët dhe nuk e ka respektuar premtimin e saj.
Edhe pse morri përsipër se do jetë transparente dhe do të publikojë raportin financiar për vitin e kaluar dhe për 10 vitet e kaluara, kjo kryetare vazhdon me avazin e vjetër – me dy faqe bilanci përfundimtar u hedh pluhur syve të qytetarëve. Sot, në Ditën e Evropës, jetojmë në një qytet ku pluhuri në rrugët e lagjeve tona ende është pjesë e përditshmërisë për fëmijët tanë. Rrugët e qytetit tonë nuk pastrohen si në Evropë, por pastrohen vende-vende ende si në shekullin e 19, pa makineri dhe infrastrukturë moderne. Shkaktare për sëmundjet respiratore të fëmijëve është pikërisht pluhuri që ata thithin nga ambienti. Sot, në Ditën e Evropës, Tetova është qyteti me më pak hapësira të gjelbra – deklaroi Arijanit Xhaferi, “Eco Guerilla”.
Në kabinetin e të parës së Tetovës Arifi nuk deshën të komentojnë akuzat e “Eco Guerillas”. Më 9 tetor të vitit të kaluar në prag të zgjedhjeve lokale, të gjithë kandidatët për kryetar të Komunës firmosën marrëveshjen se pas marrjes së mandatit do të publikojnë harxhimet e parave të Tetovarëve, krijimi i hapësirave të gjelbra ndërsa zotimi kryesor ishte transporti publik, gjë që mungon edhe përkundër premtimeve.
Bashkim Sulejmani