Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ka thënë se sipas raporteve ndërkombëtare Kosova ka bërë një përparim të ndjeshëm sa i përket lirisë së medias. Megjithatë Haradinaj ka thënë se nuk do të ndalen deri në krijimin e një ambienti plotësisht të lirë e të sigurt për gazetarët.
“Liria nuk mund të jetë e pjesshme, prandaj i ftoj gazetarët kosovarë që të punojmë në partneritet të ngushtë, që ta ndryshojmë këtë gjendje. Liria e shprehjes dhe e shtypit janë levat e demokracisë, kësisoji të panegociueshme dhe duhet të shkojnë bashkë të integruar me përgjegjësinë”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Kujtojmë se 3 Maji në botë shënon ditën e lirisë së shtypit, ndërsa në Kosovë kjo datë po shënohet me protesta nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AKG) me moton “Mosndëshkimi vret lirinë e shprehjes”./am/