Gjykata e Apelit hedh poshtë ankesën e Abdylfeta Alimit për vazhdimin e paraburgimit si i akuzuar për terrorizëm më 27 prill të vitit kaluar. Alimi i cili më 27 prill shpëtoi deputetin Ziadin Sela mbetet në paraburgim. Gjykata e shkallës së dytë nuk jep shpjegime, por siç mësohet, konfirmimi i vendimit për vazhdimin e paraburgimit ndaj Alimit është marrë mbi bazën e veprës serioze që i ngarkohet si i akuzuar. Mbrojtja e Alimit, veprimin e Apelit e quan standard të dyfishtë pasi që sipas tyre edhe të akuzuarit e tjerë të cilët tani ndodhen në arrest shtëpiak si ish drejtori i BSP-së, Mitko Çavkov, deputetët e VMRO-DPMNE-së, Kërste Mukoski dhe Sasho Vasilevski akuzohen për vepra serioze por të njëjtëve u është pranuar ankesa.
Ndërkohë në procedurë e sipër është garancia që ka ofruar familja Alimi dhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Këshilli Penal pritet të vendos mbi garancinë që ka ofruar. Mbrojtja konfirmon se nga Këshilli Penal pret përgjigje nëse garancia e ofruar do të pranohet ose jo. Meqenëse garancia e familjes Alimi prej rreth 100 mijë euro mund të hidhet poshtë nga Këshilli Penal, shumën e ka shtuar Ziadin Sela i cili në dispozicion ka vënë shtëpinë e tij.
Abdylfeta Alimi dyshohet për veprën terrorizëm. Alimi ishte i punësuar si sigurim i Kuvendit. Më 27 nëntor, gjykatësi i procedurës paraprake kërkoi arrestimin e Alimit, por ai aso kohe gjendej jashtë vendit. Për të mos dyshuar organet e rendit, Alimi u kthye në vend dhe u dorëzua vullnetarisht. Ai dyshohet për mos veprim kur janë hapur portat e Kuvendit nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, Kërsto Mukoski dhe Sashe Vasilevski, edhe pse Ligji mbi Parlamentin është shumë i qartë dhe potencon se personat e rendit në Kuvend nuk kanë të drejtë të ndërmarrin masa arresti apo pengese ndaj deputetëve në Kuvend.
Adrian Kerimi