Në fshatin Stagovë të Kaçanikut sot i është dhënë lamtumira e fundit policit Malsor Dashi, trupi i të cilit u gjet dje në lumin Lepenc pas katër ditësh kërkime.
Dashu u varros me ceremoni shtetërore ku të pranishëm ishin krerët shtetërorë, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale si dhe një numër i madh i qytetarëve.
Aty fjalën e mori kryeparlamentari, Kadri Veseli, i cili ngushëlloi familjarët e tashmë të ndjerit, Malsor Dashi duke u premtuar mbështetje institucionale.
Në këtë ceremoni foli edhe kryeimami i Kaçanikut, Florim Neziraj, i cili ndihmoi në kërkimet dhe gjetjen e trupit të Malsor Dashir.
Ai në emër të familjarëve të të ndjerit falënderoi të gjithë vullnetarët që ishin pjesë e këtij operacioni të kërkim-shpëtimi për dy policët e zhdukur në lumin Lepenc.
Në ndërkohë, derisa Malsor Dashit iu dha lamtumira e fundit, kërkimet për kolegun e tij, Armend Trena po vazhdojnë akoma.
Ndonëse sot është dita e pestë e kërkimeve, nuk ka akoma asnjë gjurmë nga polici Armend Trena.
Kërkimet që edhe sot po i bëjnë pjesëtarët e Policisë, Njësiti i Kërkim-Shpëtimit të FSK-së dhe një numër i madh i vullnetarëve sot kanë vazhduar edhe disa kilometra më poshtë por pa rezultat.
Zëdhënësi i Policisë për këtë rajon, Agim Gashi, ka thënë se kërkimet do të vazhdojnë deri në orën 18:00.
Policët Malsor Dashi dhe Armend Trena u zhdukën pas aksidentit të së shtunës mbrëma në rrugën Kaçanik-Hani i Elezit./kk/