Komisioni zgjedhor në Irak u shpreh se kleriku shiit Moktada al-Sadr, i cili ka luftuar kundër trupave amerikane gjatë luftës në Irak, ka siguruar numrin më të madh të vendeve në parlament.
Marshojmë drejt Reformës, aleanca e al-Sadrit me komunistët irakianë, ka marrë 54 vende. Vetë al-Sadri nuk mund të bëhet kryeministër pasi nuk ka konkurruar për deputet në parlament. Megjithatë, si kreu i një aleance politike, ai do të luajë një rol të rëndësishëm në negociata dhe marrëveshje politike që do të zhvillohen për krijimin e qeverisë së ardhshme irakiane.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis gjatë kësaj jave tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin zgjedhjen e elektoratit irakian pavarësisht fitores së papritur të al-Sadrit. (o.k/BalkanWeb)