Koreja e Veriut ka kërcënuar se do të braktisë takimin e muajit të ardhshëm me presidentin amerikan Donald Trump, nëse bisedimet mbi çarmatimin bërthamor janë “të njëanshme”.
Komentet vijnë një ditë pas nisjes së stërvitjes së përbashkët ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.
Samiti i ardhshëm mes udhëheqësit koreano-verior Kim Jong-un dhe presidentit amerikan Donald Trump rrezikon të mos zhvillohet.
Në një deklaratë të përcjellë nga media shtetërore, zv/ministri i jashtëm koreano-verior Kim Kye-gwan shprehet se Peniani do të rimendojë pjesëmarrjen në samitin e 12 qershorit, nëse Uashingtoni kërkon në mënyrë të njëanshme që vendi të heqë dorë nga armët bërthamore.
Zv/ministri i jashtëm akuzoi Shtetet e Bashkuara për synime dashakeqëse, ndërkohë që drejtoi gishtin në mënyrë të drejtpërdrejtë tek këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare John Bolton, i cili ka sugjeruar se Koreja e Veriut mund të ndjekë një model të çarmatimit bërthamor si Libia, duke hequr dorë nga armët për të siguruar ndihmë ekonomike.
“Ne nuk e fshehim neverinë ndaj Bolton. E kemi shprehur tashmë gatishmërinë tonë për një gadishull korean të çarmatosur dhe e kemi bërë të qartë në disa raste se SHBA duhet t’i japë fund politikës armiqësore ndaj Penianit dhe kërcënimeve bërthamore, si parakusht për bisedimet,” u shpreh zv/ministri i jashtëm.
Vetëm disa orë përpara këtij lajmërimi, Koreja e Veriut gjithashtu pezulloi një takim të nivelit të lartë me Korenë e Jugut.
Vendimi erdhi pas nisjes së stërvitjes së përbashkët ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.
Peniani deklaroi se do të lejonte zhvillimin e tyre, por më pas i cilësoi stërvitjet “si shqetësime provokuese ushtarake” që dëmtojnë përpjekjet diplomatike të vendit./am/