Ballina Aktualitet Opinione Ku po shkojmë ne shqiptarët aktualisht?

Ku po shkojmë ne shqiptarët aktualisht?

Nga Spartak Ngjela

Ku po shkojmë ne shqiptarët aktualisht? Pa asnjë dyshim: drejt Bashkimit Europian. Korrupsioni, pengesa drejt Evropës, tani është i mundur.

Sepse aktualisht shqiptarët e kanë fituar luftën me antishqiptarët shekullorë, që janë përpjekur të errësojnë dhe të deformojnë historinë e Shqipërisë.

Gjithashtu shqiptarët tani kanë triumfuar kundër asimilimit në gjuhë dhe humbjes në territor.

Shteti i ri i Kosovës është prova e fitores territoriale shqiptare dhe prova e triumfit historik shqiptar antiasimilues kundrejt përpjekjes treshekullore sllave.

Por shqiptarët sot janë përpara luftës së fundit: ata duhet të luftojnë dhe të fitojnë luftën kundër të korruptuarve të politikës dhe qeverisjes korruptive shqiptare.

l.
Të gjithë këta të korruptuar të lartë sot në Shqipëri, janë hedhur në betejë kundër historisë europiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por janë drejt kapitullimit.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, sot duhet thënë se është një akt i sigurt juridik, dhe është i garantuar nga aleanca solide amerikano-shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Por përplasja në Shqipëri do të vijojë dhe ca pak kohë me dëshpërimin e korrupsionit të lartë politik.
Kështu, një dëshpërim dhe frikë e të korruptuarve, ishte në fakt edhe përplasja kundër ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Dhe u pa qartë se përplasja e ditëve të fundit që korrupsioni i lartë politik shqiptar bëri kundër ministrit të Brenfshlm, nuk ka qenë fare një luftë “për moraliet”, por krejt e krejt një luftë antiamerikane e këtij korrupsioni, i cili në fakt po lufton për mbijetesë.

Në të vërtetë, kjo luftë antiamerikane e tyre, është një marrëzi dëshpërimi që këta individë të korruptuar do t’i dëmtojë edhe më shumë, se kjo, dita-ditës po e rrit rrezikun kundrejt tyre. Në funksion të Shqipërisë, antiamerikanizmi i tyre është kundër interesit kombëtar.

Si pasojë e kësaj, lidhjeja korruptive, që është ngritur kundër historisë së re shqiptare, po rrezikon dhe shumë të çorroditur që kanë qënë dhe janë në bashkëpunim me korrupsionin shqiptar: gazetarë dhe pronarë mediash; avokatë, gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, kryetarë bashkish etj..

Kjo në fakt ështe Beteja e fundit për Shqipërinë e qeverisur me drejtësi dhe moralitet, por mundja drastike që iu bë të gjithë këtyre të mërkurën që kaloi, ishtë disfata që për mendimin tim do të quhet përfundimtare.

Dhe sigurisht që duhet thënë se edhe kjo fitore e anti korrupsion në Shqipëri ishte produkt i forcës së politikës amerikane.
U tregua edhe njëherë se forcat e brendshme të korrupsioneve kryeministrorë shqiptarë nuk e mposhtin dot aleancën shqiptaro-anerikane në Ballkanin Perëndimor.

ll.
Po ku qëndron sot në fakt arsyeja e vërtetë antiamerikane e korrupsionit të lartë shqiptar ?
Kjo arsye është shumë e vjetër në historinë e Shqipërisë. Gjithmonë kjo ka qenë e lidhur me korrupsionin shqiptar të krerëve të korruptuar, dhe me shitjen e interesit kombëtar.

Shqiptarët ende nuk e dinë historinë e dhimbshme të tyre, e cila në tre shekuj ka qenë shitja e interesit kombëtar nga krerët e korruptuar, qoftë të fiseve shqiptare, qoftë të principatave shqiptare, qoftë të pashallarëve shqiptarë, dhe qoftë të qeverive të korruptuara të shtetit shqiptar.
Por edhe kjo do të shkruhet.

Beteja e fundit që po zhvillohet sot në Shqipëri kundër korrupsionit shqiptar, do të jetë patjetër shkatërruese për korrupsionin.
Por nëse e themi këtë: ku mund ta mbështesim për siguri arsyen historike?
Siguria e kësaj arsyeje vjen nga faktet historike që rrjedhin për të rishkruar historinë shqiptare. Dhe faktet e sotme rreshtohen te mbrojtja amerikane e shqiptarëve dhe te angazhimi i aleancës shqiptaro – amerikane kundër Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

E gjithë tragjedia shqiptare kundër gjuhës dhe territorit të madh shqiptar në Ballkanin Perëndimor, ka ardhur nga Rusia.
Kalbëzimi i Perandorisë Osmane në dy shekuj rresht, 1700 – 1900, ka mbajtur me vete edhe qëllimin rus kundrejt ekspansionit të saj sllav në Ballkanin Perëndimor. Pikërisht këtu në këtë ekspansion, ajo është mbështetur te korrupsioni i krerëve shqiptarë që kanë punuar kundër interesit kombëtar, dhe te dobësia e theksuar e kishës ortodokse shqiptare, e cila i është nënshtruar presionit të kishës ruse dhe kishës greke në asimilimin e shqiptarëve dhe deklarimin e tyre si serbë apo grekë.

Kur të shkruhet e saktë kjo histori, vetëm atëherë do ta kuptojnë shqiptarët sesa i madh ka qenë hapi historik që ndërmori Fan Stilian Noli, si peshkop, në krijimin e Kishës Autoqefale Ortodokse shqiptare.
Por do të kuptohet me theks historik edhe sesa e madhe ka qënë për shqiptarizmin rezistenca madhështore e Kishës Katolikë Shqiptare dhe e malësorëve të saj heroikë.

lll.
Gjithsesi tani çdokush që është marrë me histori e di që historia e popujve përsërit vetëveten. Prandaj drejtimi i korrupsionit kryeministror aktual shqiptar drejt Rusisë dhe Turqisë, që tani është i dokumentuar, nuk është një akt i rastësishëm, por një akt që vjen dhe hyn brenda arsyes që formon rrjedhën e shëmtuar të historisë shqiptare.

E pra, pse të zgjatemi – pikërisht këtu vjen dhe spikat me forcë arsyeja aktuale e historisë sonë kombëtare: Aleanca shqiptaro- amerikane kundër ekspansioni rus në Ballkanin Perëndimor . Dhe kjo sigurisht që është edhe arsyeja që mbështet kapitullimin e korrupsionit të sotëm shqiptar.

Korrupsioni kryeministror njëzetvjeçare i lidhur tani kundër reformës për drejtësinë dhe vendosjen e moralitetit në qeverisjen shqiptare, nuk ka më asnjë shpresë.
Ky korrupsion i luajti të gjithë gurët, madje deri dhe me kërkesë për kryengritje, por dështoi me turp se nuk iu përgjigjën shqiptarët. Ajo ishte një brutus fulmen kundër Amerikës – kërcënim krejt bosh dhe i kotë kundër Amerikës.
Por shqiptarët nuk iu përgjigjën dhe nuk do të mund t’i përgjigjen, se ata shohin nga Uashingtoni.

lV,.
Në këto momente Zëri i Amerikës po tregon përditë pikërisht çfarë ne shprehëm më lart: përpjekjen e korrupsionit kryeministror shqiptar për të shkuar drejt Moskës si neosllavizëm, dhe drejt Stambollit si neootomanizëm.
Por kthesa që mori kryeministri aktual shqiptar në çështjen Xhafaj, tregoi se presioni amerikan kundër korrupsionit kryeministror shqiptar është mëse aktiv dhe me ushtrim forcr, por mund të jetë edhe ndoshta një reflektim i këtij kryeministri për të dalë nga lidhja korruptive antireformë në Shqipëri.

Në fund të fundit politika nuk pyet për shkakun, se merret vetëm me pasojën. Kryesore është të theksojmë se aleancën amerikano-shqiptare në Ballkanin Perëndimor nuk e cënon dot asnjë grimë korrupsioni i çoroditur kryeministror shqiptar.
Të gjithë janë të mundur. Nuk kanë më asnjë shpresë.
Shprehja latine për të mundurin është më efikase për t’u shkruar në këtë rast: sola spese victis nulam sperare salutam – e vetmja shpresë e të mundurit është që të mos ketë asnjë shpresë.