Po vizitojnë shtëpinë e tyre. Çlirimi dhe Graniti me nënën dhe motrat tani e tri vjet jetojnë tek xhaxhai i tyre, për shkak se shtëpia u shkatërrua në konfliktin e armatosur të zhvilluar më 9-10 maj të 2015-ës. Ata janë dy djemtë e Fadil Fejzullahut, njërit nga të dënuarit me burgim të përjetshëm nga Grupi i Kumanovës. Çlirimi, tani më 16 vjeç, kujton mëngjesin e tre vjetëve më parë se si u zgjuan nga të shtënat e armëve, duke thënë se akoma janë të traumatizuar.
“Atë mëngjes nga gjumi u zgjova i trishtuar e i trembur. Trauma kemi edhe sot e asaj dite”, tha Çlirim Fejzullahu, banor i Lagjes së Trimave.
Vëllai i tij, Graniti thotë se të gjitha shtëpitë e lagjes janë ndërtuar, përveç shtëpisë së tyre dhe shtëpisë së Irfan Lutfiut, berberit të lagjes, i cili u dënua me 14 vjet burg. Ai ka një mesazh.
“Mesazhi ynë është që drejtësia të shkoj në vend. Dihet se ky vendim gjyqësor nuk është i drejtë. Më heret përmendej hetimi ndërkombëtar, por këtë e kishin pasur vetëm për poena politik. Tash askush nuk e përmend, njerëzit flejnë të pafajshëm në burg”, tha Granit Fejzullahu, banor i lagjes së Trimave.
Përveç dy të dënuarve me burg, në këtë lagje jetone dhe Besni Ajdini, njëri nga katër të arrestuarit, të cilët u liruan si të pafajshëm në mungesë të provave. Ajdini thotë se që nga nëntori gëzon lirinë, por kujton se traumat e 9-10 majit do të mbeten tek ai dhe familja e tij.
“Prej nëntorit që jam liruar e deri më sot, janë bërë disa muaj dhe me një fjalë e kam filluar jetën që nga fillimi, prej zeros. Tash po e shihni se jam pranë familjes, drejtësia doli në shesh, kjo është kryesorja. Ato streset e traumat kanë mbet ende në kujtime”, tha Besnik Ajdini, banor i lagjes së Trimave.
Pothuajse, e gjithë lagja është rindërtuar. Përveç shtetit që ka ndarë nga 100 mijë denarë për secilën familje të prekur nga ky konflikt, ndihma materiale janë ndarë edhe nga qytetarët anembanë botës, për të kthyer në gjendje normale këtë rrugicë të Lagjes së trimave.
“Ky është vendi ku pikërisht tri vjet më parë u dorëzuan një pjesë e grupit të armatsur të, pas luftimeve të arshpra me policinë e Maqedonisë, dhe pikërisht në këtë vend u arrestuan një pjesë e grupit të tyre.”
Besnik Ajdini thekson se procedura e dëmshpërblimit ende nuk është zbatuar, për shkak se prokurori i lëndës është ankuar pse ai dhe Ibrahim Murtezani, Besnik Bajrami, Fazli Osmani janë liruar si të pafajshëm. Ai thotë se asgjë nuk e dëmshpërblen 30 muaj paraburgimin të mbajtur larg familjes. Tre vjet më pas, përveç gjurmëve të mbetura në muret e dy shtëpive, kujtesa e banorëve ruan trishtimin e të kaluarës.