Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se vendet ballkanike e kanë vështirë të duan fqinj, referuar këtu ngjarjeve që kanë ndodhur në rajonin tonë në të shkuarën.
Duke folur në aktivitetin që për herë të par organizohet në Tiranë, “Lutjet e Mëngjesit”, kreu i shtetit shqiptar vlerësoi Shqipërinë si një shembull pozitiv në marrëdhëniet me fqinjët, ndërsa u lut që të zgjidhet sa më parë çështja e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe për ecurinë e finalizimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Të orientuar drejt këtij vizioni europian dhe euroatlantik shqiptarët kontribuojnë për një rajon bashkëpunues në dobi të begatisë dhe të së ardhmes tonë të përbashkët”, theksoi ai.
Ndërsa Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Ballkani Perëndimor ka nevojë për më shumë respekt të ndërsjellë. “Kosova mendon për të ardhmen, mendon për respektin ndaj fqinjëve dhe mendon për respektin për të gjithë ata që kontribuuan për popullin tim dy dekada më herët”, ka thënë Veseli.