Heshtje në Ministrinë e Arsimit sa i përket informacionit të një dite më parë se ministrja në largim Renata Deskovska nuk ka zbatuar asnjë prokurim publik sa i takon riparimit ose ndërtimit të objekteve shkollore. Kjo rrezikon që edhe vitin e ardhshëm shkollor shumë shkolla do ta fillojnë procesin mësimorë në hapësira të vjetra, të parinovuara, me kushte të mjerueshme dhe të papërshtatshme për mësim. Njëra ndër shkollat e cila ka parashtruar kërkesë për rinovim dhe ndërtim të objekteve shtesë është “Ismail Qemali” në Çair. Udhëheqësia e kësaj shkolle shprehet se prolongimi i procesit të rinovimit nënkupton edhe një vit në kushte joadekuate për mësim.
Ne kemi kërkuar prej ministrisë rikapacitetin e shkollës, ne më jemi knap. Në shkollën tonë ka numër shumë shumë të madh të nxënësve në krahasim me hapësirën shkollore. Ne gjithmonë kemi komunikuar me ministrinë, e kemi me patjetër. Gjithmonë kemi kërkuar, gjithmonë prolongohet. Shpresojmë se me ministrin e ri do të kemi ndonjë mirëkuptim dhe do të mund diçka të bëjmë sepse me të vërtetë jemi në një situatë të palakmueshme – deklaroi Kadri Agushi, Drejtor i Shkollës “ Ismail Qemali” Çair.
Kjo shkollë numëron 1250 nxënës, numër tepër i lartë për hapësirat që posedon shkolla. Deri më tani në këtë shkollë janë regjistruar 145 nxënës të rinj, ndërkaq deri në shtator pritet ky numër të shkojë deri në 170. Drejtori i kësaj shkolle thotë se nëse nuk fillohet me ndërtimin e klasave shtesë, nxënësit rrezikojnë të mësojnë nëpër korridore.
Nuk kemi më vend, nuk kemi ku t’i vendosim. Po ju tregoj për sivjet , deri dje janë paraqitur 145 nxënës për regjistrim. Maksimumi për nga 34 nxënës në klasë, mund të jenë 170, i kemi 5 klasë të para. Me këto kushte nuk e di si do të plotësohet kushti që flitet nga ministria që në një klasë të ketë 24 nxënës, nëse bëhet ashtu atëherë për ne është patjetër një shkollë e re të bëhet. Ne nuk kemi klasë në paralelet shqipe që ka nën 30 nxënës, madje edhe 34-35 e më tutje, edhe pse është e ndaluar me ligj. Ne kërkojmë të hapim klasë, të na jepet pëlqim t’i hapim sepse nuk kemi ku i çojmë duhet të mësojnë në korridor – tha Kadri Agushi, Drejtor i Shkollës “ Ismail Qemali” Çair.
Rinovimi i fundit i bërë nga ministria e Arsimit në këtë shkollë ka qenë gjatë viteve 2009-2011 kur ministër i Arsimit ka qenë Nikolla Todorov e madje drejtuesit e shkollës thonë se edhe ky renovim ka mbetur i papërfunduar. Që atëherë ndërhyrjet e ndryshme për riparime janë bërë nga ana e Fondacioneve dhe shoqatave të ndryshme por asnjëherë nga ministria./alsat-m