Ballina Argëtim Jetë & Stil Njihuni me shqiptarin e verbër që punon si zdrukthtar, frymëzim për të...

Njihuni me shqiptarin e verbër që punon si zdrukthtar, frymëzim për të gjithë (VIDEO)

Secila punë ka sfidat e veta, por për Daut Hoxhën, 42-vjeçar nga qyteti i Ferizajt, mjeshtëria e zdrukthëtarit është mjaft e veçantë.

Puna në zdrukthëtari, e cila për shkak të mjeteve të mprehta të punës bartë rreziqet për të gjithë ata që i përdorin, për Hoxhën është edhe më specifike, për faktin se ai është person i verbër.

Në punishten e zdrukthëtarisë, e cila është pronë e familjes së tij dhe gjendet pranë shtëpisë ku jeton ai, Hoxha e kalon një pjesë të mirë të ditës, duke punuar orendi prej druri, por edhe materiale të tjera të cilat i kërkojnë klientët e tij. Ai tashmë brenda punishtes orientohet dhe lëvizë në mënyrë mjaft të lehtë dhe të mirë, duke i ditur saktësisht ku dhe si janë të vendosura materialet e drurit, por edhe të gjitha mjetet dhe makinat e punës, të cilat i nevojiten veç e veç, varësisht nga ajo çfarë është duke punuar.

“E kam rutinë dhe këtë punë e bëjmë, si familje, prej viteve të 70-a. Por, unë dhe vëllezërit e mi e kemi filluar pas luftës. Këtu jemi afërsisht rreth 18 vjet dhe po e zhvillojmë këtë aktivitet të përpunimit të drurit. Në vazhdimësi punojmë dyer masive të drurit, por punojmë edhe gjëra të tjera që i porositin. Ne punojmë këtu vetëm me porosi. Nuk punojmë për treg, por vetëm me porosi, për shembull, mik pas miku, për çka do që ka nevojë”, tha Daut Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

Ai, është kryetar i Shoqatës së Personave të Verbër në Ferizaj, ku përpiqet të punojë për të mirën e komunitetit, si trajnues ne informatikë dhe për alfabetin “Braille”, sistem ky i shkrimit dhe leximi në reliev për personat e verbër. Gjithashtu, ai është edhe student absolvent i Drejtësisë në një kolegj privat . Siç thotë Hoxha, një ditë e zakonshme e tij, është mjaft e ngjeshur me aktivitete, por në orët e pasdites ai i përvishet punës në punishte.

Por, sa e konsideron Hoxha të rrezikshme punën në zdrukthëtari, e sidomos për një person të verbër, siç është ai?

“Sadopak është e rrezikshme, por unë e bëj me një kujdes të veçantë dhe nëse bëhet një gjë me kujdes, atëherë nuk është problem për askënd. Unë jam mësuar dhe nuk kam ndonjë telashe të madhe tek makinat dhe mjetet tjera, sepse e bëj me kujdes të veçantë. E di se deri në cilën masë është sharra. Largësinë e sharrës e llogaris me dorë, i iki rrezikut dhe punoj pa problem. Të rrish pasiv është shumë keq, sepse merr shprehi të ndryshme. Unë jam aktiv, punoj dhe nuk është ndonjë lloj pune që është kushedi se sa e zorshme. E punoj me vullnet dhe me qejf”, u shpreh Hoxha.

Megjithatë, ai e quan veten me fat që e ka shansin të punojë dhe tregojë punën e tij. Siç thotë ai, një numër tejet i madh i personave të verbër kërkojnë që vetëm t’u jepet mundësia për të treguar se janë të aftë të punojnë në punë të ndryshme dhe të jetojnë nga puna e tyre, duke mos u bërë barrë e shoqërisë. Zhvillimi i teknologjisë, sipas tij, ka ndihmuar edhe personat e verbër që të jenë në rrjedhën e zhvillimeve në fusha të ndryshme.

“Vetëm duhet të kesh një përkushtim, sado të vogël, si dhe ta kesh vullnetin. Për momentin, nuk janë edhe keq. Fakultetet janë dhe gjitha të tjerat. Por, disa po mendojnë se të verbërit nuk kanë mundësi të punojnë. Ata kanë mundësi që t’i bëjnë të gjitha punët, por vetëm duhet t’u jepet rasti dhe mundësitë. Është fati i keq që personat me aftësi të kufizuar në Kosovë, trajtohen ndryshe. Nuk trajtohen të barabartë si të gjithë qytetarët e Kosovës”, u shpreh Hoxha.

Gjatë ditëve kur Hoxha gjen pak kohë të lirë, ai i përkushtohet një pasioni tjetër. Pëllumbat janë, siç thotë ai, një dashuri e hershme për të. Në një skaj të oborrit të shtëpisë ku jeton, ai ka strehuar mbi 100 pëllumba të racave të ndryshme, për të cilët kujdeset.

“Habiteshin njerëzit dhe thoshin ‘qysh po ju vijnë në duar pëllumbat?’ Vijnë, sepse edhe këta e kanë njëfarë ndjenje të shoqërimit me njerëz. Ne të verbërit, shqisat e të prekurit i kemi shumë të zhvilluara. Kam pasur mundësi që nga 100 prej tyre, cilindo që e kap, e kam ditur me emër se cili është. Kam edhe pula, kam qen. Unë i dua kafshët dhe shpezët. I kam merak”, u shpreh Hoxha.

Sidoqoftë, siç tha Hoxha, mundësia për të lëvizur nëpër qytet, lirshëm dhe pa shoqërues, për të dhe për të gjithë personat tjerë të verbër, mbetet ende e pamundur për shkak të mungesës së infrastrukturës adekuate për këta persona.

@tn.lajmelokale
@tetovanews