Takimi dy ditor në Nju Jork mes dy ministrave të jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë Kocijas e Dimitrov të ndërmjetësuara nga Nimic përfundoi pa epilog konkret. Pa zbuluar detaje nëse në tavolinën mbetet apo është refuzuar tërësisht propozimi “Maqedonia e Ilindenit” dhe nëse janë rikthyer për shqyrtim pesë propozimet fillestare, Nimic tha se palët kanë definuar mirë çështjet dhe se janë të vendosur të gjejnë zgjidhje duke i mbrojtur interesat e tyre kombëtare.
“Çështjet janë definuar mirë dhe janë zvogëluar, por nuk kemi akoma një zgjidhje përfundimtare. Dyja të dy palët janë të vendosura të bëjnë mjaftë për të arritur një marrëveshje dhe po punojnë shumë për ta bërë këtë. Dy ministrat do të shkojnë në Bruksel dhe atje do ta vazhdojnë dialogun. Këto bisedime janë intensifikuar në mënyrë të konsiderueshme dhe të dy palët kanë pozita të rëndësishme, linja të interesave nacionale, por të dy kanë kuptuar rëndësinë e arritjes së marrëveshjes dhe janë të vendosur për ta bërë këtë. Palët e njohin njëri-tjetrin shumë mirë. Dy ministrat flasin lirshëm dhe do t’ia dalin të lëvizin para”, deklaroi Metju Nimic, Ndërmjetës i OKB-së për emrin.
Paraprakisht kryeministri grek, Aleksis Cipras nga Selaniku dërgoi sot mesazhin se Greqia në negociatat për emrin synon të merr diçka që të tjerët e kishin dorëzuar para 70 e më shumë vjetësh. Cipras tha se do të ishte fitore e madhe vendosja e një përcaktuesi para termit “Maqedoni”. Duke iu referuar negociatave që janë në zhvillim e sipër, Cipras grek tha se ato “janë të ndjeshme, kritike, por janë bërë hapa përpara”.
“Fqinjët tanë veriorë për mbi 70 vjet kanë një entitet shtetëror, qoftë në kuadër të Federatës Jugosllave, qoftë si shtet i pavarur më vonë pas shpërbërjes së Jugosllavisë, që quhet Maqedoni dhe mbajnë një emër i cili, pa asnjë referencë tjetër revokon botën antike greke dhe trashëgiminë e rëndë kulturore të Maqedonisë greke. Këtë po shkojmë të marrim. Nuk është e lehtë. Disa budallenj na thonë se po shkojmë të japim. Shkojmë që të marrim, jo që të japim. Po shkojmë të pajtohemi me fqinjët tanë të cilët kanë një entitet shtetëror që për 70 vjet quhet Maqedoni, por që nuk ka asnjë lidhje me Aleksandrin e Madh dhe rrugëtimin e tij historik. Kanë rrënjë sllave dhe shqiptare dhe këtë ata e pranojnë. Nëse fitojmë përcaktues para emrit Maqedoni është fitore e madhe dhe akoma më e madhe nëse merremi vesh se tjetër është Maqedonia ynë që vjen nga tradita e lashtë e botës antike greke, ndërsa tjetër është tradita e tyre dhe shenja e tyre kulturore”, tha Aleksis Cipras, Kryeministër i Greqisë
Nga ana tjetër partneri i koalicionit qeveritar, “Grekët e Pavarur” tashmë ka betonuar qëndrimin se nuk pranon asnjë zgjidhje që do të përmbajë termin “Maqedoni”./am/