Hotelierët ankohen për problemet serioze në sferën e tyre përkundër pritjeve që në vitin 2020 numri i turistëve që do ta vizitojnë Maqedoninë të jetë më shumë se 1 milion. Për këtë u informua ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi gjatë vizitës së tij në Strugë. Kërkohet miratimi i menjëhershëm i Planeve të detajuara urbanistike për gjithë bregun e Liqenit në Strugë dhe Ohër, në mënyrë që të mundësohet ndërtimi i hoteleve dhe objekteve hotelerike. Për momentin vetëm 10% e bregut të liqenit është e urbanizuar.
Shpresoj se Qeveria do ketë parasysh se duhet të përgatiten planet urbanistike dhe të merren mjetet e nevojshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja turistike. Këtu nuk bëjnë pjesë vetëm hotele, por edhe objekte tjera që janë në sferën e turizmit. Mund të them se nëse Ohri kishte edhe 5 mijë dhoma hoteli, këtë vit do kishim mundur t’i mbulojmë me kapacitetin e njëjtë si hotelet tjera – tha Krste Blazhevski, kryetar i HOTAM.
Nga Hotam thonë se vetëm një pjesë e vogël e kërkesave të tyre që vitin e kaluar i kanë dërguar në Qeveri dhe në Ministrinë e ekonomisë janë plotësuar. Kërkojnë nxitjen e ndërtimit të hoteleve cilësore me uljen e taksave komunale, zgjidhjen e problemit me konkurrencën jolojale, veprim i koordinuar i inspektorateve në terren dhe uljen e TVSH-së për shërbimet nëpër restorante prej 18 në 5%.
Këtë verë pritet që numri i turistëve në Ohër dhe Strugë të rritet për 15 deri në 20%. Në takimin në Strugë është biseduar edhe për masën e qeverisë- rreth 2 mijë punëtorë me paga të ulëta pas përfundimit të sezonit turistik të kenë mundësi të pushojnë në ndonjërin nga hotelet vendore.
Miki Trajkovski