Maqedonia dhe Greqia janë shumë afër zgjidhjes përfundimtare, thonë shefat e diplomacive, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxijas. Në takimin e mbrëmshëm në Bruksel, ata kanë arritur të dakordojnë një paketë për kompromis për emrin, e cila duhet të përpunohet nga ekspertët e të dy vendeve. Sipas Dimitrovit, kah mesi i kësaj jave, pritet takim mes kryeministrave, të cilët do ta kenë fjalën përfundimtare.
“Kemi pasur takim produktiv. Kemi një kornizë, e cila duhet të përpunohet dhe mbi të cilën aktualisht punojnë ekipet juridike të të dyja ministrive në Athinë. Planifikohet edhe një bisedë e rëndësishme në nivel kryeministrash Zaev-Cipras kah mesi i kësaj jave, ku shpresoj se do të mbyllen disa çështje të rëndësishme, lidhur me opsionet që janë në lojë”, tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë.
Ministri i jashtëm i Greqisë Nikos Koxijas thotë se ai dhe Dimitrovi i kanë kryer detyrat e tyre që i kanë marrë përsipër nga Zaevi dhe Cipras, dhe se negociatat do të vazhdojnë sot në nivel të ekipeve ligjore.
“Të dy ministrat e jashtëm e kemi përfunduar atë që e kemi marrë përsipër nga kryeministrat e të dy vendeve. Sot dhe nesër do të vazhdojnë bisedimet në nivel të ekspertëve, ajo që duhet zgjidhur janë çështjet tekniko-juridike. Menjëherë pasi të zgjidhen ato çështje, tekstet që u përgatitën nga ministrat e jashtëm, do t’iu dorëzohen kryeministrave, të cilët do të bisedojnë dhe do të arrijnë një marrëveshje përfundimtare”, tha Nikos Koxijas, Ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë.
E inkurajuar nga përparimi i arritur në procesin e negociatave, shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogerini siguroi se do të punojnë të gjithë së bashku, me qëllim siç u shpreh, këto negociata të rëndësishme të kenë rezultat pozitiv.
“Sapo kam ardhur nga takimi joformal me ministrin e FYROM-it, bashkë me ministrat e punëve të jashtme të vendeve – anëtare të BE-së dhe më lejoni t’ju them se të gjithë jemi të inkurajuar nga progresi i arritur, sidomos në negociatat në mes Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit. Të gjithë do të punojmë për mbështetje të procesit, duke shpresuar se do të ketë rezultat pozitiv të këtyre bisedimeve të rëndësishme”, u shpreh Federika Mogerini, përfaqësese e lartë e BE-së.
Edhe eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, në profilin e tij në “Tuiter” ka drejtuar fjalë miradije për negociatat dhe për ecurinë e debatit. Ai ju shprehu mirënjohje shefave të diplomacive për punën e tyre konstruktive dhe theksoi se të gjithë pjesëmarrësit e takimit joformal, kanë dhënë mbështetjen e tyre të plotë për procesin.