Një takim i liderëve të partive parlamentare është planifikuar për më 18 maj në Ohër, në kuadër të dialogut “Zhan Mone”, kurse iniciator është Parlamenti Evropian.
Sipas informacioneve të Tetova News, në agjendën e bisedimeve treditore në Ohër – nga 17 deri më 19 maj, në darkën e punës më 18 maj është parashikuar edhe pjesëmarrja e liderëve të partive parlamentare . Ky do të ishte takimi i parë i liderëve pas ndërrimit në kupolën e VMRO-DPMNE-së, me përjashtim të një takimi për emrin ku morën pjesë edhe zyrtarë të tjerë shtetëror, si dhe presidenti Gjorge Ivanov.
Në darkën e punës, përveç liderëve të partive më të mëdha, të LSDM dhe VMRO-DPMNE, Zoran Zaevi dhe Hristijan Mickovski, pritet të marrin pjesë Ali Ahmeti i BDI-së, Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, Menduh Thaçi i PDSH-së, kurse kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka konfirmuar për Tetova News pjesëmarrjen në këtë takim.
Iniciativa “Zhan Mone”, e cila ishte planifikuar që fillimisht të niste në Paris, pastaj të shpërngulej në qendrat e tjera evropiane, megjithatë do të startojë nga Ohri, pas disa shtyerjeve. Atje, prapa dyerve të mbyllura, do të debatojnë kryetari i Kuvendit, sekretari gjeneral dhe nënkryetarët e Kuvendit, koordinatorët e grupeve parlamentare, plus nga një ose nga dy deputetë nga partitë e përfaqësuara në organin ligjvënës dhe përfaqësues të administratës së parlamentit. Pritet edhe prania e tre europarlamentarëve që ishin të përfshirë në bisedimet në Përzhino: Knut Flekenshtajn, Ivo Vajgëll dhe Eduard Kukan, transmeton Tetova News.
Deputetët do të diskutojnë për ndryshimet në rregulloren e e punës së Kuvendit, qëllimi parësor i së cilës është parandalimi i ngjarjeve si ajo e 27 prillit të vitit 2017.
Për këtë problematikë ka kohë që zhvillohen bisedime në nivel të grupeve punuese ku marrin pjesë deputetë nga më shumë parti në organin ligjvënës.Tema e sesionit të parë të procesit “Zhan Mone” është kodeksi i ri etik i Kuvendit dhe procedurat parlamentare që duhet të mundësojnë më shumë pavarësi për pushtetin ligjvënës nga ai ekzekutiv./TetovaNews