Ballina Aktualitet Opinione Për diasporën flitet shumë, por punohet pak

Për diasporën flitet shumë, por punohet pak

Mund të jenë edhe disa fusha të përbashkëta bashkëpunimi ku roli i diasporës mund të jetë edhe më aktiv, por krejt kjo mund të realizohet nëse ekziston strategji konkrete që do të vinte në lëvizje idetë dhe resurset ekzistuese

Nga Emin AZEMI

Ditë më pare në Prishtinë u mbajt një konference tematike “Diaspora flet”, në të cilën u trajtuan tema të ndryshme që ndërlidhen me investimet dhe bashkëpunimet më intensive në kulturë, arsim etj. Kjo Konferencë pati jehonë në mediat e Kosovës dhe panelistë të ndryshëm shqyrtuan përvojat dhe njohuritë e tyre mbi intensifikimin e raporteve në mes të institucioneve kosovare dhe diasporës. Si gjithmonë, edhe në këtë Konferencë dominoi mendimi se shteti duhet të bëjë më shumë për diasporën dhe me këtë rast u ofruan edhe ide e nisma konkrete që do të mund të realizoheshin me kusht që kujdesi institucional të jetë në nivelin e duhur të përgjegjësive.

Diaspora shqiptare, e koncentruar kryesisht në disa shtete të Europës, por edhe në Amerikë , Australi, Turqi e gjetiu, ka potenciale të pashfrytëzuara të cilat mund të vihen në shërbim të zhvillimit ekonomik, social e kulturor në vendlindje. Kjo diasporë përbëhet edhe prej shqiptarëve nga Maqedonia, të cilët në periudha të ndryshme kanë emigruar në vendet më të zhvilluara, mirëpo kjo pjesë shumë pak është trajtuar nga faktorë vendimmarrës. Edhe në Konferencën e Prishtinës pak u prek ky krah i diasporës shqiptare dhe kjo po ndodhë sin ë shumë fusha të tjera, sidomos në kulturë dhe ekonomi, ku shqiptarët e Maqedonisë margjinalizohen sikur ata të ishin ndonjë komunitet periferik.

Në Maqedoni ka një Ministri që merret me Diasporën, mirëpo nuk janë vërejtur përpjekje serioze që të hartohet ndonjë strategji e cila do të përpunonte më detajisht shumë aspekte që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e dyanshëm, por edhe me kontributin e institucioneve shtetërore në pasuriumin e jetës kulturore e arsimore të diasporës. Shumë emra të shquar nga diaspora sot janë të përfshirë në veprimtari politike, shkencore, kulturore në vendet ku ata jetojnë e veprojnë, mirëpo institucionet tona ende nuk kanë në bashkëpunim të mirëfilltë me këta persona. Nuk janë të pakta nevojat që eksperienca e këtyre individëve të diasporës të shtrihet edhe institucionet e këtushme. Nëse merret, bie fjala, vetëm arsimi si segment, do të shohim se shumë shkolla e fakultete që kanë mungesë kuadrosh, do të mund të rikuperohen me këta njerëz tanë, të cilët kanë se çka të japin nga përvoja dhe dija e tyre. Jo edhe për faktin se arsimi te ne vuan më së tepri pasojat e një anarkie të pakuptimtë, kurse kjo do të mund të tejkalohet sikur në procesin e këtushëm edukativo-arsimor të përfshihen edhe kuadro të sprovuar nga diaspora.

Një segment tjetër ku do të mund të kishte bashkëpunim, është edhe sektori agrar dhe ai ekonomik. Nëse për një kohë të gjatë kishim probleme të theksuara me pasojat që la privatizimi pa kriter i ndërmarrjeve shtetërore, ku shqiptarët u përjashtuan plotësisht nga ky proces, sot ka mundësi që disa gjëra të kompensohen nëse zhvillimi ekonomik bazohet mbi projekte zhvillimore nga fusha e bujqësisë dhe blegtorisë. Por, kjo nuk mund të arrihet pa një bashkëpunim të sistemuar mirë në mes të institucioneve tona vendore dhe kuadrove shqiptare nga diaspora, me ç’rast do të vinte në shprehje një qasje shkencore në zhvillimin e resurseve ekonomike, të cilat aktualisht janë shumë pasive.

Mund të jenë edhe disa fusha të përbashkëta bashkëpunimi ku roli i diasporës mund të jetë edhe më aktiv, por krejt kjo mund të realizohet nëse ekziston strategji konkrete që do të vinte në lëvizje idetë dhe resurset ekzistuese. (koha.mk)