Ballina Aktualitet Lajme PROTESTA E POLICËVE PËR RRITJE PAGASH, “DO TË BLLOKOJMË RRUGËT DERI SA...

PROTESTA E POLICËVE PËR RRITJE PAGASH, “DO TË BLLOKOJMË RRUGËT DERI SA TË ARRIJMË MARRËVESHJE” (VIDEO)

Policët po merren vesh mes vete, ndonëse sot disa prej tyre kanë dalë të protestojnë e të tjerët po mbajnë rendin publik. Sindikalistët policorë në mesditën e së hënës dolën të kërkojnë të drejtat e tyre nga shteti. Policët e burgjeve dhe policët e pyjeve kërkojnë që të shkruajnë marrëveshje kolektive për rritje pagash, përmirësimin e kushteve të punës dhe pagesën e orëve shtesë në punë.

“T’ju rikujtojmë ministrave se personat që janë rreth tyre ose i gënjejnë shumë, duke u dhënë fotografi të rrejshme, ashtu siç ka ndodhur në 10 vitet e kaluara, ose ata duan që ne të dalim rrugëve të Shkupit duke protestuar pandërprerë që sot”, tha Dellçev Todev.

“Ja, tani e një vit asgjë nuk është ndërmarrë në lidhje as me policinë e burgjeve, të pyjeve apo të përgjithshëm. Nuk kemi asnjë përmirësim, madje punët po shkojnë edhe më keq. Prandaj, apeloj që në një afat sa më të shkurtër, autoritetet të na pranojnë në takim dhe të fillojmë të zgjidhim problemin”, tha Antonio Stojçevski, Sindikata e policisë së burgjeve.

Protestuesit u ndanë në dy drejtime. Policët e pyjeve iu drejtuan Ministrisë së Bujqësisë, kurse policët e burgjeve iu drejtuan Ministrisë së Drejtësisë duke bllokuar bulevardin. Ata kërkojnë një takim me autoritetet, por kryetari i Sindikatës së policës, Goce Dellçev-Todev thotë se nuk i mirëpriti as zëvendësministri i drejtësisë Oliver Ristovski e as drejtori Jovica Stojaniviq nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve.

“Kërkesa jonë u refuzua, kështu që qëndrimi i sindikatës së policisë së burgjeve është që të mbetemi këtu deri në fund të orarit të punës, me qëllim që t’ju bëjmë me dije këtyre të Ministrisë së drejtësisë se kjo çështje nuk do të tejkalohet thjeshtë me ndërrimin e ministrave kaq lehtë. Mbetemi deri në fund me qëndrimin tonë ashtu siç u akorduam me kryetarët e policisë së burgjeve”, tha Dellçev Todev.

Nga sindikalistët e policisë së pyjeve thonë se kërkesa e tyre është për rritje të pagave deri 30%, kurse propozimin që kanë marrë sot nga ministria përmban rritje vetëm për 15%. Ata thonë se do të takohen sërish për të përafruar kërkesën dhe ofertën që do të pasojë me nënshkrimin e kontratës kolektive.
Thonë se 560 policët e uniformuar, të cilët kryejnë shërbimet në 12 burgjet nëpër të gjithë Maqedoninë, janë të njëzëri se kërkesat e tyre të plotësohen sa më parë. Për ndryshe ata thonë se do të radikalizojnë protestat.

Përgatiti: Adnan Qaili