Shembja e një dige në Kenia, gjatë mesnatës së të mërkurës, për shkak të reshjeve të dendura ka shkaktuar një “shkatërrim total” dhe ka vrarë të paktën 20 persona.
Dëmtimi i digës është shënuar në një fermë pranë qytetit Solai, 190 km në veriperëndim të kryqytetit Nairobi.
Kryqi i Kuq i Kenias njofton se ka shpëtuar rreth 40 persona deri më tani, ndërkohë që mbi 2.000 të tjerë thuhet të kenë mbetur të pastrehë.
Zyrtarët lokalë thonë se shkalla reale e dëmeve ende nuk dihet, pasi ka edhe shumë njerëz që rezultojnë të zhdukur.
Frika ekziston se numri i viktimave mund të rritet edhe më tej, teksa vijojnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit.
Digës “Patel” në qarkun Nakuru iu shembën muret mbrojtëse, duke shkaktuar përmbytjen e qindra shtëpive nga rrjedha e furishme e ujit.
Dëshmitarë thanë se kishin dëgjuar edhe një zhurmë të fuqishme, përpara se uji të mbërrinte në mbi 2 km largësi, në një fermë private ku shumë vetë jetonin e punonin./sn/