Dorina Kuqo
Rritja e taksave njëra pas tjetrës kanë ndikuar ndjeshëm në uljen e standartit të jetesës, madje, deri në shkeljen e dinjitetit njerëzor. Gjendja e të qenit me vlerë, i nderuar ose i vlerësuar kanë humbur me aktualitetin, në të cilën po përballen shqiptarët. Njerëzit po “tërbohen” nga varfëria ekstreme, dyert vazhdojnë të mbyllen për të gjithë ata që kërkojnë punë, ndërsa taksat rriten për të mbushur jo vetëm buxhetin e shtetit, por edhe xhepat e qeverisë. Filozofia e taksës është një gënjeshtër e bukur që përdoret për qëllime përfitimi nga qeveria. Zërat e të varfërve shfrytëzohen si lepuj të fjetur nga parti të majta apo të djathta, të cilat drejtojnë protesta në favorin e tyre. Kësisoj, mbledhja e taksave apo e tatimeve nuk janë asgjë tjetër veç vjedhjes, dhe një shtet që përpiqet të pasurohet përmes taksave bëhet “mbret” i një populli të varfër. Mjer kush është mbret i një populli të tillë.
Duhet të paguajmë taksa?
Taksimi është një e mirë e përgjithshme që i shërben popullit të eci drejt zhvillimit dhe standarteve më të mira. Duhet të paguajmë taksa pasi janë kontributi ynë për një shoqëri të civilizuar. Parimisht, qëllimi i taksës është i mirë, pasi është një detyrim që i shërben qytetarit, dhe kush ka për detyrë të paguajë taksa, ka gjithashtu të drejtën për të marrë shërbimin e duhur që i takon. Reforma mbi të ardhurat duhet të jetë në gjendje të transferojë shumën e mbledhjes së taksave përsëri tek populli. Asgjë nuk mund të motivojë njeriun modern më shumë sesa një shanc për të paguar më pak taksa në mjedisin ku ai nuk e ndjen rritjen e tyre. Rritja e taksave në vendin tonë është një helm për shqiptarët, në një kohë kur korrupsioni ka një shtrirje shumë të gjerë në të gjitha institucionet. Korrupsionin në Shqipëri do ta krahasoja me ujkun, qimen e ndërron, por zakonin nuk e harron. Me taksën, shteti kontrollon të ardhurat e veta, por fatkeqësisht jo shpenzimet e saj.
A janë të mjaftueshme të ardhurat për të përballuar rritjen e taksave?
Të ardhurat që marrin shqiptarët janë shumë të ulta, të cilat nuk i përgjigjen aspak kërkesave apo kritereve që përmban rritja e taksave. Taksat qëndrojnë jashtë standartit të jetesës, kryesisht në një nivel të cekët të konsumit të mallrave dhe shërbimeve. Qeveria rrit taksat, sepse në rrethin e tyre çdo gjë është e përballueshme, pasi shuma të frikshme ruajnë pushtetin e tyre. Vala e emigracionit është një mënyrë shpëtimi mbi të ardhurat e pakta ose zero të shqiptarëve. Pas Italisë dhe Greqisë, të cilat ishin dikur vendet ku emigronin më tepër shqiptarët, aktualisht një ndër destinacionet e sigurta për të punuar është Gjermania. Tregu gjerman, me një sistem rigoroz që tërheq si me magnet, ka nxitur shumë të rinj të punësuar apo jo të shkojnë drejt Gjermanisë. Shumë njerëz të papunë, sidomos të rinjtë kanë hequr dorë nga varfëria apo nga vështirësitë ekonomike që dominojnë jetën në Shqipëri. Sipas ekonomistit gjerman Helmar Nahr: “Politika është gjithmonë art i zbulimit për të sjellë në dritë taksa të reja.” Një qeveri duhet të jetë sa më ekonomike, sepse paratë që merr përmes taksave dhe tatimeve rrjedhin nga gjaku dhe djersa e popullit të tij.
A kanë shqiptarët mbështetje sociale?
Shërbimi social në vendin tonë është relativisht i ulët, ose më mirë të themi më keqi në Evropë, sepse nuk garanton mbështetjen financiare bazë të njerëzve në nevojë. Asistenca sociale është vetëm një lëmoshë për njerëzit e prekur deri në gradën e fundit. Edhe kur je në gjendje të punosh dhe nuk gjen dot punë, në Shqipëri zor se merr përfitime nga papunësia. Nuk mund të quajmë mbështetje sociale, nëse nuk është e mishëruar thelbësisht në një ekzistencë dinjitoze apo në një mbështetje financiare nga shteti, për të gjithë njerëzit që nuk janë në gjendje të përballojnë jetesën e tyre. Në thelb, mirëqenia sociale nuk synon vetëm parandalimin e varfërisë, por edhe mundësimin e një jete sa më dinjitoze. Detyra e ndihmës sociale është t’u mundësojë njerëzve që kanë të drejtën e përfitimeve të udhëheqin një jetë në përpjesëtim me dinjitetin njerëzor. Fatkeqësisht shumë familje janë të përjashtuara nga ndihma ekonomike, tashmë të strukur në mëshirën e fatit.
Si mund të përmirësohet standarti i jetesës?
Një standart i lartë jetese është produkt i një produktiviteti të lartë të shkallës së punësimit në një infrastrukturë të harmonizuar. Nuk mund të përmirësojmë standartin e jetesës, nëse lundëron papunësia sheshit aq sa varka nuk mban më ujë. Standarti i lartë i jetesës arrihet edhe kur njerëzit të kuptojnë dhe të duan më pak korrupsion, për të mos marrë pjesë në asnjë mënyrë në shfrytëzimin e postit të tyre, qoftë kjo edhe për një Cent më shumë. Prandaj, mundësitë që kemi për të ndikuar tek të tjerët, nuk duhet ti përdorim ato në dëmin e të tjerëve, përkundrazi gjithmonë dhe më shumë në të mirën e tyre. Të luftosh papunësinë, nuk kërkon ndonjë cilësi gjeniale që vështirë se e gjen në botë, mjafton të marrim seriozisht dhe të vendosur modelin e përkryer të lulëzimit të një shteti të zhvilluar, sigurisht duke ruajtur dhe orgjinalitetin tonë si shqiptarë në ato vlera të mira që kemi. Nuk jemi të përkryer, por as edhe të paaftë që të mos bëjmë diçka të duhur për vendin tonë.
Në përmbyllje të kësaj teme mjaft të diskutueshme kohët e fundit, do të doja të ritheksoja në vija të trasha se shteti është fytyra e popullit, shteti jemi ne, të gjithë shqiptarët brenda apo jashtë vendit përbëjnë një fuqi të jashtëzakonshme. Dua ta shoh këtë fuqi të jashtëzakonshme të shkarkuar tek Shqipëria. Në fusha të ndryshme me ide po të ndryshme mund të kontribuojmë për një Shqipëri më të bukur dhe të lumtur. Të jesh politikisht i shëndoshë do të thotë të mos zgjedhësh as të keqen më të vogël në kurriz të tjetrit. Me pak më shumë padrejtësi jeton më mirë, pak më shumë pabarazi në shpërndarjen e të ardhurave përbën një standart më të lartë jetese.