Rrjetet sociale mund të krijojnë varësi. Nuk është ende një shqetësim i njohur zyrtarisht, por në Amerikë, po marrin masa që tani, shkruan tgcom.
Gjithnjë e më shumë të rinj janë të stacionuar vazhdimisht në Facebook, Snapchat, twitter e Instagram.
Rritet gjithnjë e më shumë edhe numri i atyre që futen nëpër qendra rehabilitimi.
Thuajse gjysma e adoleshentëve amerikanë janë të prekur nga kjo sindromë. Bëhet fjalë për djem e vajza që përdorin smartphone-in për 6-7 orë në ditë.
Disa të rinj, të intervistuar nga televizioni amerikan, kanë treguar se ndjejnë stres, ankth, por edhe turp nga përdorimi pa kriter i celularit.
Qendrat e rehabilitimit, sapo nisin terapinë, i lënë të rinjtë pa smartphon-ët e tyre, tabletët dhe internet. Që nga ai moment nisin të ndjekin programe të specializuara.
Qendra Paradigm në Kaliforni, thotë se ka arritur sukses 80% me pacientët në moshë të re. Terapia mund të rëndojë xhepat e familjarëve: fatura mund të shkojë deri në 50.000 dollarë, por disa sigurime shëndetësore mund të rimbursojnë një pjesë.