Edhe këtë të enjte opozita në Shqipëri ka bllokuar foltoren e Kuvendit. I pari që mori fjalën ishte kryetari i opozitës shqiptare Lulzim Basha, i cili edhe në këtë seancë akuzoi ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kryeministrin Edi Rama, si të lidhur me krimin dhe mbrojnë Agron Xhafaj për interesat e tyre.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka ndërprerë seancën për 10 minuta pushim, pasi opozita bllokoi foltoren. Basha tha se ka rënë Kushtetuta, Kodi i Procedurës Penale si dhe ligji i Vettingut për policët.
Seanca parlamentare është ndërprerë më pas për herë të dytë brenda pak minutash.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka kërkuar opozitës të largohet nga foltorja, por ajo nuk i është bindur. Në këtë mënyrë ai ka ndërprerë sërish seancën. Por opozita është futur live nëpërmjet rrjetit social Facebook.