Ballina Aktualitet Lajme Tetova, komuna me më shumë martesa në 2017

Tetova, komuna me më shumë martesa në 2017

Nëse gjatë vitit të kaluar kurba e martesave të regjistruara në rang vendi është në rritje janë zyrat e gjendjes civile në komunat shqiptare aty ku çiftet drejtohen më së shumti për të kurorëzuar bashkëshortësinë.
Komunat si Tetova, Gostivari, Saraji, por edhe Struga e Dibra plotësojnë vakumin e krijuar nëpër komuna të tjera maqedonase ku martesat janë në numër disa herë më të vogël, por njëherazi ndikojnë pozitivisht në raportet e shpërpjesëtuara me divorcet, shkruan gazeta KOHA.

Tetova është komuna që renditet e para për shifrat e larta të martesave të evidentuara, gjithsej 785 të tilla ose 90 më shumë se një vit më parë. Numri i kurorëzime vetëm në këtë komunë përbën rreth 6 për qind të numrit të përgjithshëm të tyre.
Struga dhe Dibra janë po ashtu dy komuna që ndonëse vitet e tjera kanë regjistruar shifra më të ulëta kurorëzimesh gjatë 2017 kanë rritur numrin e përgjithshëm të tyre.

Një pasqyrë e ngjashme të dhënash është edhe për komuna si Saraji (336 martesa), Haraçina, Tearca, Zhelina (281), ku vazhdimisht numri i martesave të regjistruara ecën me trend pozitiv. Mes tyre dallojnë disa të tjera, si Komuna e Çairit, ku numri i kurorave të evidentuara gjatë vitit të kaluar ka pësuar rënie, po ashtu edhe Likova, apo Vrapçishti.

Në total gjatë vitit të kaluar janë regjistruar rreth 13.800 martesa, shifër kjo që është 4,4 për qind më e lartë sesa një vit më parë. Pasqyra e të dhënave gjithsesi që nuk përkon me situatën reale, për shkak se në shumë komuna divorcet, apo martesat në disa raste janë fiktive dhe në marrëveshje mes bashkëshortëve për të siguruar shtetësinë në një shtet tjetër.

Nga ana tjetër në zyrat e gjendjes civile në komunat shqiptare pohojnë se gjatë një viti ndodhin më shumë martesa sesa regjistrohen në realitet, pasi akti i celebrimit pason disa vite më vonë, kur çiftit i nevojiten dokumente në rastet e lindjes së një fëmije, apo të rregullimit të dokumentacionit në një shtet tjetër.

Një pjesë e meshkujve që lidhin kurorë jetojnë jashtë vendit dhe koha e kufizuar e qëndrimit në vendlindje është një prej arsyeve kryesore për të neglizhuar regjistrimin në zyrat e gjendjes civile. Bumi i martesave ka ndodhur në muajin gusht, ndërsa më pak janë evidentuar gjatë muajit mars. Në pjesën më të madhe të tyre dominon mosha mbi 20-24 tek femrat, ndërsa tek meshkujt 25-29 vjeç. Sa i takon moshës mesatare të çifteve është 26 vjeç tek femrat dhe mbi 29 tek meshkujt.

Gjatë vitit të kaluar tregues pozitiv janë numri i divorceve, të cilat ndonëse nuk kanë pësuar ulje, prapëseprapë kanë një shtim të papërfillshëm krahasuar me vitin e kaluar, gjithsej 1194 shkurorëzime, ose 0.5 për qind më shumë se në 2016. Karakteristikë për muajin kur ndodhin divorcet është dhjetori dhe më pak në muajin gusht. Mosha mesatare e të divorcuarve është nga 30 deri në 34 vjeç, që nënkupton se disa martesa nuk arrijnë t’i mbijetojnë as pesëvjeçarit të parë.

Komuna ku ndodhin më pak martesa gjatë një viti është Vevçani (13 martesa), Novaci, Llozova (11 martesa). Në një situatë të ngjashme janë edhe komuna të tjera më të mëdha, ku si pasojë e numrit të vogël të kurorave dhe lindjeve, divorceve në rritje dhe numrit të lartë të vdekjeve, kanë kaluar në ritmet negative të pakësimit drastik të popullsisë.

NUMRI I KURORËZIMEVE 2017 (KOMUNAT SHQIPTARE)

Tetovë 785

Gostivar 757

Struga 502

Çair 488

Saraj 336

Zhelinë 281

Likovë 274

Vrapçisht 258

Tearcë 203

Studeniçan 186

Dibër 165

Haraçinë 101

NUMRI I KURORËZIMEVE 2017 (KOMUNAT MAQEDONASE)

Manastir 496

Gazi Baba 469

Aerodrom 453

Prilep 430

Ohër 339

Karposh 301

Qendër 290

Vevçan 13

Zërnovc, Llozovë 11

@tn.lajmelokale
@tetovanews