Emërtimi i dhënë “Republika Ilinditase e Maqedonisë”, ky emërtim bie ndesh me natyrën dhe me rregullat e gjuhës shqipe. Kështu vlerëson Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkup.
Sipas tyre, Ilindeni tradicionalisht është quajtur Ilinden, në këtë mënyrë në aspektin gjuhësor, përdorimi i fjalës Ilinden në emërtim nuk duhet të paraqesë problem, raporton SHENJA.
Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe
“Supozoj se me këtë variant është synuar për më shumë simetri me emërtimin maqedonisht dhe për, le të themi, ndonjë shqipërim. Por shqip Sveti Ilija në fakt është Shën Elia, një profet i shek. IX para Krishtit. Pastaj, sipas rregullave të fjalëformimit, nuk mund të formojmë Eliadita e që pastaj të shtojmë edhe prapashtesën –ase dhe të fitojmë Eliaditase ose si është dhënë Ilinditase. Nocioni Ilinden në maqedonisht thjesht ndjek modelin e fjalëformimit të kësaj gjuhe, sipas të cilit disa festa fetare emërtohen me kompozita. Kështu, në maqedonisht kemi Veligden, Duhovden, Gjurgjovden e që po të përktheheshin tekstualisht, do të dilnin ‘Dita e Madhe’, ‘Dita e Shpirtrave’, ‘Dita e Gjergjit’. Kurse tradita jonë këto festa i emërton: Pashkët, Rrëshaja, Shën Gjergji. Edhe Shën Elia është ekuivalenti i Ilindenit (Dita e Ilisë, përkatësisht Elias) kur i referohet besimit përkatës”.
Në qëndimrin e Katedrës së Gjuhës dhe Letërisësë Shqipe të dhënë për TV Shenja, më tej thuhet se përkthimi nuk është gabimi i vetëm në këtë emërtim. Siç sqarohet në këtë qëndrim, vendosja e mbiemrit Ilindenase mes fjalëve Republika dhe e Maqedonisë e prish kuptimin, sepse Ilindenase është Maqedonia, jo Republika.
Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe
“D.m.th. duhej të ishte Republika e Maqedonisë Ilindenase. Por emërtimin me mbiemër duhet përjashtuar pasi në shqip, në dallim nga maqedonishtja, kategoria semantike e posesivitetit si në rastin e dhënë, nuk shprehet me mbiemër por me rasën gjinore. Kështu, po të nisemi nga emërtimi maqedonisht, Republika Ilindenska Makedonija ku të gjitha gjymtyrët janë në rasën emërore, mund të propozonim si emërtim shqip: Republika Maqedonia e Ilindenit. Po të nisemi nga emërtimi anglisht Republic of Ilinden Macedonia mund të propozonim si emërtim shqip Republika e Maqedonisë së Ilindenit”.
Ndërkohë Instituti për Trashëgimi Kulturore i Shqiptarëve në Shkup deri më tani ka qëndruar i distancuar nga kjo çështje, duke mos dalur akoma me një qëndrim zyrtar. Të pyetur nga TV Shenja se cili është qëndrimi i tyre në lidhje me zhvillimet rreth propozimit të emrit “Republika Ilinditase e Maqedonisë”, nga ky institut u përgjigjën se kanë në plan të mbajnë mbledhje për të diskutuar çështjen në fjalë, që më pas të dalin me qëndrim zyrtar.
Teuta Buçi /SHENJA/