Kryeministri Edi Rama këmbëngul se materiali i përgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm është i manipuluar dhe pse një ditë më parë, Albert Veliu doli publikisht duke thënë se gjithçka është folur në atë përgjim është e vërtetë.
Kryeministri Edi Rama këmbëngul se materiali i përgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm është i manipuluar dhe pse një ditë më parë, Albert Veliu doli publikisht duke thënë se gjithçka është folur në atë përgjim është e vërtetë.
Kryeministri nuk pranoi të tregonte agjencinë e specializuar që përmendi në mbledhjen e grupit për autenticitetin e përgjimit.
“Unë i jam drejtuar një agjencie të specializuar, adresën nuk mund tua jap, dhe ajo çfarë kam bërë ka qenë urgjente për mua. Nuk ka vlerën e një prove, provën duhet ta identifikojë dhe certifikojë cilado që të jetë ajo, Prokuroria, por për sa më takon jam shumë i qartë, bëhet fjalë për një maskaradë të organizuar me qëllime që janë të qarta për të gjithë, dhe e motivuar nga frymëzimi malinj për të bërë çmos për të penguar dhe mundësisht hedhur në erë negociatat për anëtarësim të Shqipërisë.
Besoj që dita e djeshme duhet t’u ketë dhënë të gjithëve mundësinë të shihni përmes audio-video shpk-së të PD se në çfarë derexheje është katandisur PD, se çfarë mungese të plotë respekti ka PD për inteligjencën e shqiptarëve, dhe se pse ka pritur pikërisht këtë kohë për të bërë këtë gjë për diçka që e ka pasur në dorë më parë. Në një kuptim unë e falenderoi PD që e bëri shumë të lehtë demaskimin e kësaj maskarade me atë shfaqje që dha dje në skenën e teatrit të SHQUP-it. Përgjigja ime është e qartë dhe e prerë ajo çfarë i është servirur publikut si material autentik është thjesht dhe vetëm manipulim i shëmtuar, pastaj detajet, si-të dhe pse-të e këtij manipulimi janë çështje të Prokurorisë”, tha Rama.
Rama konfirmoi sërish se Xhafaj do të qëndrojë në detyrën e ministrit, duke e quajtur gjithë situatën një sabotim të mirëfilltë të opozitës.
“Unë përgjigjen e kam marrë dhe ministri do vazhdojë në krye të detyrës që e bën me përgjegjshmëri me rezultate përditë e domethënëse. Nuk kam menduar kurrë që do më duhej ndonjëherë të nxirrja nga shqipja ime e pasur fjalën sabotim për opozitën e këtij vendi po ky është sabotim i mirëfilltë, jo vendimtar, fatmirësisht po balta bën punën e saj, në mjegullën që ndodhet sot BE në raport me vetveten, e lëre më pastaj me Ballkanin ose me ne, balta bën punën e saj te njerëzit e zakonshëm. Nuk mendoj se do kthehemi prapa po do vazhdojmë para në kuptimin e procesit të integrimit”, tha Rama./TCH/