Më 29 mars të vitit të ardhshëm do të zyrtarizohet përfundimisht procesi i njohur si Brexit. Britania e Madhe do të largohet nga Bashkimi Europian duke hequr dorë edhe nga detyrimet dhe privilegjet që i jep deri më tani Unioni.
Për të mos u zënë të papërgatitur, qeveria e Theresa May ka hartuar një plan ku parashikohen të gjithë skenarët e mundshëm. Skenari më pesimist është ai që mban emrin “Skenari i Apokalipsit”. Zyrtarisht nuk ka asnjë deklaratë pohuese apo mohuese për ekzistencën e tij, por në mediat britanike qarkullon prej disa ditësh.
Bëhet fjalë për një parashikim të zymtë të shkëputjes, që do të trondiste vendin, aq sa në rajonet më të largëta të Britanisë së Madhe të mungonin edhe ilaçet.
Sipas këtij skenari, që në ditën e parë të shkëputjes, porti i Doverit, më i madhi në vendin ishullor, do të paralizohej për shkak të procedurave të zhdoganimit, që do të rinisin, pasi vendi nuk do të jetë më pjesë e tregut të përbashkët europian.
Brenda pak ditësh rajonet si Kornuel dhe pjesë të Skocisë rrezikojnë të mbeten pa u furnizuar me ushqime, ilaçe dhe karburant. Në këtë rast, Qeveria do të përdorë aviacionin ushtarak për të siguruar gjërat bazike për qytetarët.
Është një hipotezë ekstreme, por dokumenti, sipas mediave britanike është hartuar nga sektori i ngritur posaçërisht në Qeverinë britanike për procesin e Brexit dhe post-Brexit.
Realizimi i këtij skenari është thuajse i pamundur dhe kërkon një kusht thelbësor, atë që Londra dhe Brukseli të mos arrijnë asnjë marrëveshje për shkëputjen, që do të pasonte një divorc të vrullshëm e të dhunshëm në tregje dhe ekonomi për të dyja palët.
Zërat që kundërshtojnë arritjen e një marrëveshjeje me Bashkimin Europian nuk mungojnë në Angli, e për këtë, The Sunday Times thotë se qeveria kërkon që të mos kapet e papërgatitur nëse vendoset që të tërhiqet nga tryeza e negociatave me Brukselin.
Mbështetësit e Brexit kërkojnë që të refuzohen kushtet e BE-së sa i takon lëvizjes së lirë, qasjes në tregun e përbashkët, apo politikat e emigracionit, ndërsa partizanët që qëndrimit në BE lëshojnë alarmin.
“Qeveria po na dërgon drejt katastrofës dhe ç’është më e keqja në këtë mes është se e pranojnë edhe vetë këtë”, thotë Layla Moran e liberal-demokratëve.
E sigurtë është që Britania do të shkëputet, por mënyra sesi do të ndodhë kjo shkëputje mbetet ende mister. Në “Downing Street” e pranojnë se në samitin e BE-së në fund të qershorit nuk do të arrihet asgjë dhe duhet pritur tetori për të parë nëse do të ketë rezultate apo jo.
Tetori është afati kohor i fundit për të hedhur të zezën mbi të bardhë në një ujdi të mundshme dhe më pas nisin ratifikimet parlamentare tek vendet e BE-së, pra koha nuk premton./TCH/