Duke filluar nga 31 korriku 2018, nëse aplikoni për vizë turistike, studimi ose leje pune apo qëndrim të përhershëm në Kanada, ju duhet me patjetër të jepni shenjat tuaja të gishtave dhe fotot tuaja(biometrike). Ky zgjerim i programit biometrik do të prekë të gjithë shtetasit e huaj nga Europa, Lindja e Mesme apo Afrika.
“Po. Ne ju kërkojmë që të jepni shenjat e gishtave dhe biometrinë tuaj në mënyrë që të sigurohemi që askush tjetër të mos e përdorë identitetin tuaj për të aplikuar. Kjo ndihmon zyrtarët e vizave për të verifikuar identitetin tuaj”, thuhet në një njoftim të faqes zyrtare të qeverisë kanadeze.
“Shtetasit e huaj midis moshave 14 dhe 79 vjeç janë të nxitur që të japin të dhënat e tyre biometrike në qendrën më të afërt të aplikimit për viza kanadeze”.
Këto të dhëna jepen vetëm kur ju aplikoni për herë të parë për vizë në Kanada. Dhe janë të vlefshme për 10 vjet.
“Pas kalimit të këtij afati ju duhet ti rijepni sërish këto të dhëna”, sqarohet në faqe.
Aplikimi për vizitë do të kushtojë 85 dollarë kanadezë për aplikime personale ndërsa për familje të cilat aplikojnë së bashku do të paguhet një shumë maksimale deri në 170 dollarë. Ndërsa për grupet e artistëve me 3 apo më shumë interpretues që aplikojnë për leje pune, shuma maksimale në total shkon 255 dollar kanadezë. /SCAN.