Zërave se negociatat për emrin kanë ngecur, kryeministri Zoran Zaev iu kundërpërgjigj me optimizëm se problemi shumë-vjeçar do të zgjidhet.
Ai tha se me homologun grek, Aleksis Cipras do të bisedojë në telefon sapo të precizohen të gjitha detajet teknike të marrëveshjes.
Ka disa punë teknike që duhet të zgjidhen. E dini se që nga fillimi jam pozitiv dhe optimist. Nuk do të doja të jepja detaje. Besoj se do ta gjejmë zgjidhjen.
Sapo të tejkalohen këto mundësi teknike menjëherë do të ndodhë edhe biseda telefonike dhe besoj se në afat sa më të shkurtër të mundshëm do të mund të publikojmë gjithë atë që është dakorduar dhe se si do të proceduohet më tej në vetë procedurat.
Qëllimi ynë kryesor është gjithsesi të arrijmë në kohë, para Këshillit Evropian, sepse e dini që atëherë vendoset për marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në. Ashtuqë ditët në vijim jemi maksimalisht të fokusuar dhe të përkushtuar.
Bëher fjalë për marrëveshje, nene të marrëveshjes, detaje të rëndësishme sepse tani është koha që ato të precizohen – deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Zaev theksoi se është e rëndësishme që opozitat dhe qytetarët e të dy vendeve ta pranojnë marrëveshjen eventuale, e cila planifikohet të nënshkruhet në Prespë.
Ndërkohë edhe Zv/ministri i Brendshëm grek, Kuvelis hodhi poshtë zërat për dështimin e negociatave, duke siguruar se Greqia është e përkushtuar në gjetjen e zgjidhjes.
Do të nxitonim po të njoftonim fundin e bisedimeve dhe negociatave. Vendi ynë dëshiron të ketë një zgjidhje dhe pikat që ka vendosur si kushte të domosdoshme garantojnë një rezultat të mirë, nëse ato pranohen nga vendi fqinj – u shpreh Fotis Kuvelis, Zv/ministër i Brendshëm.
Përkrahje për një zgjidhje erga omnes erdhi nga partia opozitare, PASOK.
Pozicioni i partisë PASOK për çështjen e emrit të Shkupit është kristal e qartë dhe është miratuar njëzëri nga Këshilli Politik.
Ne jemi në favor të një emri të përbërë, erga omnes, dhe ndryshim të Kushtetutës, me garanci për irredentizëm dhe hapat e detyrueshme për të gjitha palët. Po për një zgjidhje, por jo çfarëdo zgjidhje – tha Fofi Genëmata, PASOK.
Kryepeshkopi grek, Jeronimos ka thënë se për çështjen e emrit nuk është përgjegjëse kisha, por Kuvendi dhe qytetarët.
Nuk jemi grekë vetëm për një moment ose për një ditë. Grekë jemi çdo ditë, çdo orë. Kisha ka qëndrimin e vetë. Kemi thënë qartë se nuk e japim emrin tonë askund, por kjo nuk është punë e Kishës.
Kisha nuk proteston, qytetarët kanë zgjedhur Kuvendin dhe Kuvendi është përgjegjës për të. Grekët janë gjithashtu përgjegjës të votojnë, Kuvendi të qeveris me vendin – u shpreh Jeronimos, Kryepeshkop i Greqisë.
Ambasadori amerikan në Greqi, Xhefri Pajët rikonfirmoi mbështetjen amerikane për zgjidhjen e emrit.
Greqia dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë fort një vizion të integrimit më të thellë të Ballkanit Perëndimor në institucionet evropiane dhe euroatlantike.
Dhe në këtë drejtim, ne mirëpresim dhe mbështesim fuqishëm përparimin e kohëve të fundit për çështjen e emrit të Maqedonisë, i cili mban çelësin për të zhbllokuar lidhjet më të thella ekonomike dhe politike midis Greqisë dhe Ballkanit Perëndimor – deklaroi Xhefri Pajët, Ambasador i SHBA-ve në Greqi.
Pasi Zaev nuk telefonoi Ciprasin të premten ashtu siç kishte paralajmëruar, në opinion jozyrtarisht flitej se bisedimet kanë ngecur për faj të vendit tonë, që nuk mund t’i përmbush obligimet e marrëveshjes. Marrëveshjen eventuale për problemin shumëvjeçar po e hartojnë grupet e punës nga dy vendet dhe OKB-ja dhe i njëjti përmban 11 pika, me të cilat precizohen qartë fazat e implementimit të të njëjtës. Jozyrtarisht në tavolinën e negociatave është propozimi “Republika e Maqedonisë Veriore”./am/