Era e keqe e gojës paraqitet tek personat me dehidrim të shprehur të organizmit, te temperatura e lartë, barkqitja dhe vjellja e shpeshtë. Era e keqe e gojës na paralajmëron për sëmundje të ndryshme që mund të kemi. Ka shumë persona të cilët i lajnë rregullisht dhëmbët e tyre dhe përsëri kanë erë të keqe.
Nganjëherë edhe stresi mund të ndikojë në paraqitjen e erës së përkohshme nga goja. Në këto raste mund të bëhet fjalë për sëmundje të traktit respirator, tretës, urogjenital dhe endokrin.
Era e keqe nga goja mund të jetë edhe pasojë e ndonjë procesi patologjik në organizëm dhe atëherë ajo mund të largohet vetëm pas mjekimit të sëmundjes bazë.Sëmundjet e ezofagut, lukthit dhe zorrëve, sidomos ato kancerogjene, përcillen me erë të keqe nga goja. Për diabetikët është karakteristike era e acetonit, për të sëmurët me cirrozë të mëlçisë është karakteristike era e gjakut të zbërthyer, ndërsa te sëmundjet e veshkave me uremi, paraqitet era e amoniakut.
Për shkak të lidhjes anatomike, thuajse të gjitha sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes japin erë të keqe nga goja, ndërsa kjo doemos ndodh te të sëmurët me bronkektazi dhe apces pulmonar.
Dhëmbët me karies dhe dhëmbët e prishur gjithashtu edhe rrënjët e mbetura dhe xhepat parodontozë të cilët janë vende ku përqendrohet ushqimi i mbetur në gojë me kalimin e kohës zbërthehen dhe japin erë shumë të keqe
Era e pakëndshme e gojës paraqitet edhe pas nxjerrjes së dhëmbëve ose pas ndërhyrjeve tjera kirurgjike në gojë. Erë shumë e keqe u vjen personave të cilët kanë ulceracione në zgavrën e gojës (afta, stomatit herpetik dhe infeksione tjera virusale të gojës) ose nekrozë në gojë (AIDS, leukozë).