Shkruan: Daut Dauti, Londër
Pa marrë parasysh se çka flasin injorantët, budallenjtë, gojëkëqinjtë dhe anti shqiptarët dhe pa marrë parasyshë se si do të përfundoj ky kampionat botëror i futbollit, Xherdan Shaqiri, sipas ekspertëve dhe shtypit britanik të sportit, i ka siguruar vehtes vend solid në ‘Top World Players’. Prandaj, është paralajmëruar një garë e madhe në mes ekipeve angleze për marrjen e Shaqirit në mesin e tyre. Momentalisht çmimi i Shaqirit në tregun britanik është 123 milionë funta me tendencë të rritjes.
Ky fakt shënon histori jo vetëm për Shaqirin por edhe për Zvicrën dhe tërë shqiptarët. Gëzimi duhet të jetë edhe më i madh nëse e kemi parasyshë që edhe Xhaka e Behrami nuk janë larg Shaqirit.
Këta futbollist edhe një herë e sollën Kosovën në faqet e para të shtypit botëror duke bërë me dije për problemet të cilat ende i rëndojnë mardhëniet shqiptaro-serbe që po e mbajnë Ballkanin të tensionuar.
Por, pozitivitetin e këtyre futbollistëve duhet ta shohim në kontributin e tyre në Zvicër, në të cilin vend, komuniteti shqiptar është më i rëndësishmi në Evropë. Për shkak të tyre, Zvicra për herë të parë, ka festuar privatisht nëpër shtëpi dhe publikisht nëpër sheshe. Kjo është një shënjë e cila vërteton që shqiptarët në Zvicër më nuk duhet të jenë inferiorë. Pa marrë parasyshë se çka mendojnë djathtistët zviceranë, të cilët më shumë se shpesh kanë shfaqur tendenca fashiste ndaj shqiptarëve, komuniteti shqiptar është bërë faktor i rëndësishëm në këtë vend.
Në Zvicër shqiptarët nuk janë të rëndësishëm vetëm në futboll, në ‘baushtella’ e restorante. Ata, gjithnjë e më të rëndësishëm janë duke u bërë në të gjitha fushat tjera të ekonomisë dhe i gjenë duke shënuar sukses në vendet më të specializuara, përfshirë edhe sallat e operacioneve të komplikuara të spitaleve me renome në këtë vend.
Edhe përkundër këtij suksesi, shqiptarët, pa nevojë, ende vuajnë nga barra e inferioritetit që e bartin nga e kaluara. Por, kjo nuk duhet të zgjas shumë pasi që gjeneratat e reja janë duke e thyer këtë barrierë. Barriera do të thyhej më shpejt sikur shqiptarët ta kishin zërin e tyre në sferën publike të Zvicrës. Ky zë duhet të lajmërohet së shpejti dhe të bëjë me dije se shqiptarët e duan Zvicrën sikur zvicëranët e shpesh më shumë se vetë zviceranët. Shqiptarët në Zvicër janë për të jetuar aty për gjithmonë dhe kjo duhet të pranohet nga zvicëranët por edhe nga shqiptarët të cilët duhet ta ndjenjnë veten zvicëranë. Prandaj, shqiptarët në Zvicër duhet të pranohen si pjesë e plotënisë së shoqërisë zvicërane me të gjitha karakteristikat poseduese.
Derisa të ndodhë kjo, do të ballafaqohemi ende me deklarata të individëve dhe organizatave që shkaktojnë pezmatim në të dyja anët. Por, kur shqiptarët e marrin vendin e merituar në Zvicër, më nuk do t’i shihni duart e tyre duke e bërë shqiponjën. Vizitat e tyre në Kosovë, së bashku me dërgesat e parave, do të rrallohen dukshëm.