Qytetarët në Maqedoni me mjaft vështirësi e kapërcejnë hendekun midis të ardhurave dhe harxhimeve mujore. Bile, të ardhurat mujore mesatare të një punësuari në Maqedoni prej afër 400 euro mezi mjaftojnë për mbulimin e shpenzimeve jetike si banimi apo ushqimi. Këtë e dëshmojnë edhe analizat e sindikalistëve, sipas të cilëve, 13.394 denarë nevojiten në muaj që të mbulohen vetëm nevojat themelore për ushqim, ndërsa afër 10 mijë denarë kushtojnë harxhimet e banimit, gjithmonë për një familje katër-anëtarëshe, shkruan gazeta KOHA.
Kjo, me fjalë të tjera, nënkupton se më shumë se 60 për qind e pagës mesatare të vlefshme 23.694 denarë shkojnë për ushqim. Nëse kësaj i shtohen edhe harxhimet e banimit që përfshijnë koston e pagesës së rrymës, ujit apo telefonit, del se me një pagë mesatare, sipas përllogaritjes së Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, mund të mbulohen vetëm harxhimet minimale të ushqimit dhe banimit. Pjesa e mbetur e harxhimeve mujore prej afër 10 mijë denarë, që përfshin 2291 denarë për higjienë, 2349 denarë për transport, 2121 denarë për veshmbathje, 1070 denarë për kulturë dhe 679 denarë për mirëmbajtjen e shëndetit, mbulohet nga të ardhurat e tjera jashtë rrogës mesatare.
Standardin e ulët e qytetarëve të Maqedonisë e dëshmojnë edhe analizat e institucioneve të ndryshme. Sipas analizës së institutit “Finance Think”, dy të tretat e popullatës në Maqedoni me pagat mujore që i marrin nuk arrijnë të mbulojnë harxhimet e jetesës, ndërsa vetëm një e treta e popullatës arrin të kënaqë të gjithë nevojat ose të kursejë një pjesë të të ardhurave. Rreth 42 për qind arrijnë të kënaqin vetëm nevojat për ushqim dhe llogaritë, ndërsa 28.1 për qind nuk arrijnë të mbulojnë as këto harxhime, përcjell KOHA.
Gjithashtu, një familje në mesatare në Maqedoni harxhon më shumë të holla se sa fiton dhe atë vetëm për mbijetesë. Hendeku jo i drejtë mes të ardhurave dhe shpenzimeve të jetesës tejkalohet përmes punës shtesë në të zezë, shkurtimit të mjaft harxhimeve, marrjes së kredive konsumatore, hyrjes në minus në kartelat kreditore, angazhimit në bujqësi, ndërsa vend të rëndësishëm zënë dërgesat e mërgimtarëve…
Sociologët thonë se në Maqedoni, vite me radhë ekziston një nivel i lartë i ekonomisë informale 30 deri 35 për qind, ku mjaft qytetarë punojnë në të zezë që të sigurojnë jetë normale. Ky aktivitet ekonomik që në mënyrë plotësuese e praktikojnë qytetarët, e mban standardin jetësor në njëfarë niveli.
Mënyra tjetër që i ndihmon qytetarët të kapërcejnë muajin është edhe hyrja e madhe në borxh në bankat komerciale në tre vitet e fundit – saldo negative në llogaritë rrjedhëse, minuse në kartelat kreditore, si dhe kreditë konsumatore, banesore dhe të veturave.
Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë, borxhi i amvisërive në muajin prill të këtij viti ka qenë 145.889 milionë denarë, ndërsa në muajin dhjetor të vitit 2016, borxhi i amvisërive ka qenë 120.832 milion denarë. Me fjalë të tjera, borxhet e qytetarëve për tre vite janë rritur për afër 400 milionë euro, apo prej 1 miliardë e 960 milionë euro në fund të vitit 2016, në 2 miliardë e 370 milionë euro në muajin e katërt të 2018-ës.
“Në muajin prill, totali i kredive është rritur në nivel mujor dhe vjetor për 0.6 dhe 5.8 për qind. Rritja kreditore në nivel mujor dhe vjetor, në pjesën më të madhe i detyrohet kreditimit të amvisërive me një rritje prej 82.7 dhe 78.1 për qind”, tregojnë analizat e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë.
Në ndërkohë, hendekun midis të ardhurave të rregullta mujore dhe nevojave mujore të amvisërive mbulohen edhe nga ekonomia gri apo informale. Analizat e Institutit “Eurofund” për vitin 2013 tregojnë se në Maqedoni – në të zezë kanë punuar 140 mijë persona, ndërsa ekonomia e fshehur përbën 34.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, apo afër 2 miliardë euro.
Në vitet e fundit kemi një zbutje të ekonomisë informale si rrjedhojë e legalizimit të një pjese të bizneseve, megjithatë akoma një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë vendore mbetet në zonën gri. (koha.mk)