Eliminimi historik, që në fazën e grupeve, i Gjermanisë nga Kupa e Botës në Rusi nuk kalon pa vëmendje të posaçme, veçanërisht nga ata, që përpara kampionëve të botës në fuqi kishin shuar ëndrrat për Botëror edhe të Holandës e Italisë. Flasim këtu për suedezët!
Një kompani ndërkombëtare e themeluar në Suedi, e famshmja IKEA, shitësi me pakicë më i madh në botë që prej 2008-s i mobiljeve, pajisjeve shtëpiake dhe atyre të kuzhinës, gjen vend edhe për provokime ironike.
Në një njoftim të sajin në rrjetet sociale, në gjuhën gjermane, lexohet se IKEA është në kërkim të bashkëpunëtorëve gjermanë për të gjitha filialet e saj, të cilët të mund të punojnë në vend të bashkëpunëtorëve suedezë, pasi këta të fundit janë të zënë e duan të shohin ndeshjet e skuadrës së tyre nordike në Botërorin e Rusisë.
Këtij njoftimi i shtohet edhe një shënim, ku theksohet se përparësi kanë ata të interesuar që dinë të komunikojnë, veçse në gjermanisht, edhe në italisht apo hollandisht.
Një ironi e mprehtë dhe e ftohtë nordike, që duket se godet “3 zogj me një gur”…