Zyrtari i Eulexit, Bengt Persson është personi i parë që i ka dhënë ndihmën Fadil Vokrrit pas sulmit në zemër në një qendër fitnesit në Prishtinë dhe që i mori jetën.
Zyrtari policor i Eulexit kishte qëlluar rastësisht në qendrën e fitnesit kur kishte parë se Vokrrit i ishte vështirësuar gjendja.
“Indeksonline” raporton se e ka kontaktuar zyrtarin suedez, i cili vetëm pas kontaktit me gazetarët e kuptoi që Vokrri kishte ndërruar jetë.
“Ai ka ndërruar jetë!? Jam shumë i mërzitur që po e dëgjoj këtë lajm. Ishte pa ndjenja kur unë ndërhyra. Fillova ta ndihmoj dhe më pas nisi të marr frymë. Pasi u duk se po i përmirësohej gjendja, unë e lash në duart e stafit mjekësor të cilët e transportuan në spital. Sinqerisht, më vije shumë keq. Ndihem i trishtuar”, ka thënë Persson.
Indeksonline mëson se Persson si një profesionist i vërtetë i ka dhënë ndihmën e parë Vokrrit, por që sulmi ka qenë i rëndë dhe nuk ka arritur të mbijetojë.
Federata e Futbollit e Kosovës njofton se ceremonia e varrimit e Presidentit Fadil Vokrri do të zhvillohet nesër më 10 qershor në Prishtinë.
Ceremonia do të organizohet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Presidenti Fadil Vokrri, si figurë qendrore e futbollit të Kosovës dhe ndërkombëtarizimit të tij, në shenjë nderimi, do të përcillet me të gjitha nderimet shtetërore.
Ceremonia e varrimit do të zhvillohet nesër më 10 qershor në Kuvendin e Kosovës sipas agjendës së mëposhtme:
12:00 – 13:30 Homazhe, Kuvendi i Kosovës
14:00 – 15:00 Mbledhje komemorative, Kuvendi i Kosovës
17:00 Varrimi në varrezat e qytetit në Prishtinë
Federata e Futbollit e Kosovës ngushëllon të gjithë qytetarët e Kosovës dhe më gjerë për këtë humbje të madhe të sportit.