Ballina Aktualitet Lajme SHIU I RRËMBYESHËM, DËME TË SHUMTA, QYTETI I SHKUPIT NUK DËMSHPËRBLEN QYTETARËT...

SHIU I RRËMBYESHËM, DËME TË SHUMTA, QYTETI I SHKUPIT NUK DËMSHPËRBLEN QYTETARËT (VIDEO)

Pemë të nxjerrë nga rrënjët, pemë të rëna mbi vetura, tela të rrëzuar të rrymës dhe telefonave, rrugët e shndërruara në lumenj. Kështu dukej Shkupi sot, pas një stuhie që zgjati vetëm 25 minuta.

“Edhe pse zgjati vetëm disa minuta, moti i lig dhe shiu i madh që kapi qendrën e Shkupit, ka lënë dëme të mëdha nëpër të gjithë qytetin, duke krijuar një kaos të vërtetë.”

Në qendrën matëse në Zajçev Rid, për 25 minuta janë matur 11 litra ujë për metër kub, ndërsa Era kishte një shpejtësi prej mbi 80 km në orë.

Dhjetëra vetura nëpër kryeqytet janë dëmtuar nga drunjtë që kanë rënë nga era e fortë. Ndër to është edhe makina e Xhabir Abdilit i cili thotë se ndaloi për të pritur sa të kalojë stuhia, por që druri i vjetër që ndodhej afër, për pak sa nuk i mori jetën. Ai shpëtoi i pa lënduar, por vetura e tij pësoi shumë keq.

“Isha duke kaluar nëpër qytet dhe menjëherë u ndala, desha të pres sa të kalojë stuhia e madhe që ishte. U ndala u parkova dhe pastaj më ra druri mbi veturë. Unë isha në veturë, menjëherë hapa derën dhe dola nga vetura”, tha Xhabir Abdili –qytetar.

Por as për të e as për qytetarët e tjerë që kanë pësuar dëme materiale, nuk do të ketë dëmshpërblime nga ndërmarrjet publike. Shefi i Shtabit për Mbrojtje dhe Shpëtim të Qytetit të Shkupit Emil Duroviq theksoi se era që ka shkaktuar dëmet ishte më e fortë se 72 km në orë, që klasifikohet si fatkeqësi.

Kur era është nën 72 kilometër në orë, dëmin e mbulojnë ndërmarrjet publike, mbi 72 km në orë llogaritet si fatëkeqësi dhe ajo tashmë është fuqi mbinatyrore. Kjo do të thotë se nuk do të dëmëshpërblehen”, u shpreh Emil Duroviq – shef i shtabit për mbrojtje dhe shpëtim të qytetit të Shkupit.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov siguroi se kanalizimi dhe rrugët do të jenë të gatshme dhe pa problem do të pranojnë reshjet e radhës.

“Për ne është e rëndësishme që arritëm që në një periudhë të shkurtër ta sanojmë infrastrukturën e rrugëve dhe rrjeti nëntokësor është i gatshëm që t’i pranojë reshjet e reja të shiut pa problem”, tha Petre Shilegov – kryetar i qytetit të Shkupit.

Përveç Shkupit, sipas të dhënave të Entit hidrometeorologjik, shi të dendur ka pasur edhe në qytetet të tjera të Maqedonisë veriore dhe perëndimore, ndërsa më së shumti shi ka rënë në Kumanovë edhe atë me një dendësi prej 20 litra në metër kub. Ndryshe tani më disa ditë një valë e motit të keq ka kapluar tërë Ballkanin, ndërsa më së keqi pësoi Sllovenia, kur dje kishte shi me kokrriza të madhësisë të topave të tenisit.

Përgatiti: Bajram Memeti

@tn.lajmelokale
@tetovanews