Shkruan: Saranda R. Shala
Kam menduar se gjeneratat e reja kanë ndryshuar, se shkollimi dhe vetëdijesimi do ta bënin shoqërinë tonë më të qytetëruar, më të drejtë dhe më humane.
Por, fatkeqësisht, jo! Në raport me jetën e grave, duket se ende kemi mbetur peng i mentalitetit të errët të së kaluarës.
Femicidi nuk është thjesht një krim. Është dështim i një shoqërie që ende nuk arrin ta mbrojë jetën e gruas. Është e tmerrshme që në Kosovë gratë vazhdojnë të vriten vetëm pse janë gra, ndërsa ne vazhdojmë të flasim, të reagojmë dhe të vajtojmë pas çdo tragjedie.
Nuk mjafton të tronditemi për disa ditë pas çdo vrasjeje, të publikojmë statuse, të ndezim qirinj e pastaj të vazhdojmë jetën sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Duhet të ndryshojë mënyra se si edukohen djemtë, si trajtohen gratë, si reagojnë institucionet dhe si e sheh shoqëria dhunën. Heshtja, arsyetimi i dhunuesit dhe fajësimi i viktimës janë pjesë e një mentaliteti që duhet të marrë fund.
Asnjë grua nuk duhet të jetojë me frikën se jeta e saj mund të përfundojë nga duart e dikujt që pretendon se ka të drejtë mbi të.
Një shoqëri që nuk arrin t’i mbrojë gratë e saj nuk mund të quhet as e emancipuar, as e zhvilluar.
Gratë kanë nevojë për siguri dhe mbrojtje sa janë gjallë, jo për drejtësi vetëm pasi të mos jenë më!






























