Këto turistë nuk do të ikin të kënaqur nga vizita në Kalanë e Tetovës. Atyre u ka rënë në sy mos-mirëmbajtja e Kalasë, pakujdesia për këtë ndërtim me vlerë historike por edhe papastërtia që mbretëron.
“Është gjë e veçantë të vizitosh gjithë këto gjëra, sidomos pas komunizmit por, është e tmerrshme absolutisht ta shohish gjithë këtë papastërti – mbeturina, për ndryshe Tetova është shumë e bukur, sidomos Xhamia e Larme – tha një vizitor nga Suedia.
“Unë kam ardhur me qëllim që të vizitoj sa më shumë vende fqinje. Rrugët nuk është se mirëmbahen por ka edhe shumë gjëra të tjera që nuk funksionojkan, papastërtia dhe shumë gjëra tjera”, u shpreh një vizitor nga Shqipëria.
Kjo është pamja e Kalasë së Tetovës, e cila në këto ditë vere do të duhej të ishte përplot me vizitorë. Muret që filluan të restaurohen mbetën në gjysmë, shkaku i mungesës së mjeteve dhe siç po shihet, shkatërrohen çdo ditë e më shumë.
“Një problem tjetër i madh është edhe mirëmbajtja e këtij vendi me vlerë të madhe historike, duke filluar nga rruga që aspak nuk mirëmbahet dhe po ashtu ky vend në mes të Kalasë që është mbushur me mbeturina dhe shkurre”.
Faji për mirëmbajtje dhe restaurim të Kalasë ka mbetur jetim. Nga Qendra nacionale për konservim thonë se restaurojnë aq sa u lëshohen para, ndërsa për mirëmbajtjen gishtin e drejtojnë kah Muzeu i Tetovës.
Ne e bëmë projektin mirëpo Ministria paratë i jep pjesë-pjesë dhe kërkohet nga ne të punohet me faza dhe çdo vit kemi realizuar 200 mijë – 300 mijë denarë. Këtë vit duhej ta mbyllim fazën dhe kërkuam diku 800 mijë denar mirëpo na kanë aprovuar, sektori i mbrojtjes në Ministrinë e kulturës me komisionet, diku rreth 500 mijë denarë. Dhe sipas planit presim në korrik të hapet tenderi dhe të bëjmë punime për 500 mijë denarë – u shpreh Memet Selmani, Drejtor i Qendrës për Konservim.
Nga muzeu po ashtu topin e hedhin tek Kisha e cila sipas dokumentacionit është pronare e Kalasë.
Momentalisht këtë informatë nuk e konfirmoj dot, sepse jam i ri në këtë post, por do angazhohem që në të ardhmen të kujdesem maksimalisht për rrjedhën e punëve në Kala – tha Miqo Stojçevski. Drejtor i Muzeut të Tetovë.
Deri sa institucionet nuk i kanë të qarta kompetencat e tyre, muri i rrënuar i kalasë së Tetovës dhe papastërtia në Kala, ka ndikuar shumë në uljen e numrit të vizitorëve gjatë viteve të fundit.
Bashkim Sulejmani