Nga Komuna e Gostivarit sot njoftojnë se vendimi i shumicës së anëtarëve të Këshillit të Komunës së Gostivarit, në seancën e pestë votoi kundër ndarjes së subvencioneve nga ana e Komunës për NPEOS “Rinia” – Gostivar.
“Kjo ndërmarrje në kuadër të së cilës funksionon edhe palestra sportive në të cilën aktivitetet sportive i zhvillojnë klubet sportive të Gostivarit me rrethinë, udhëheqësia e shkuar komunale kishte krijuar detyrime enorme ndaj EVN-së për energji të harxhuar elektrike.Ndonëse vetë përgjegjës për këtë situatë të palakmueshme të NP “Rinia”, këshilltarët e BDI-së të mbështetur edhe nga partnerët e tyre LSDM, RDK dhe LDR votuan kundër propozim-vendimit për ndarje të 500.000 denarëve kësaj ndërmarrjeje të dedikuara për pagesën e rrymës elektrike, dhe për pasojë sot EVN e shkyçi rrymën dhe kjo palestër mbeti në terr”.
Gjithashtu nga Komuna e Gostivarit njoftojnë me fillimin e shtatorit, katër çerdhe të reja do të hapin dyert për të pranuar fëmijët e moshës parashkollore.
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari I shoqëruar nga udhëheqësja e Sektorit për veprimtari publike, Aslian Snopçe kanë ndjekur nga afër fillimin e punimeve për adaptimin e hapësirës ku do të funksionojë çerdhja e fëmijëve në kuadër të godinës shkollore në fshatin Forinë.
Taravari njoftoi se paralelisht po punohet për hapjen e çerdhes edhe në fshatin Raven, dhe se të katër çerdhet e reja do të përurohen gjatë ditëve në vijim.
Ndërsa paraprakisht, përfaqësues të komunës, Ministrisë së punës dhe politikës sociale dhe UNDP-së, inspektuan kushtet e hapësirave të dedikuara për çerdhe, për të parë nga afër nëse të njëjtat i plotësojnë kriteret e nevojshme për këtë lloj dedikimi. Me përfundimin e procedurës tenderike filloi procedura e realizimi me qëllim që deri në shtator, të fillojë regjistrimi i fëmijëve.
Për vendosjen në funksion të çerdheve në Forinë dhe në Raven, do të shpenzohen 1.022.300 denarë.