Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj është kundërshtuar vazhdimisht nga opozita. Madje, për këtë është paralajmëruar edhe mocion votëbesimi.
Në një nga seancat e Kuvendit e Kosovës, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, kërkoi bashkim të opozitës dhe qytetarëve që ta ndalin këtë Qeveri.
“Me këtë Qeveri duket se e keqja po normalizohet, çdo ditë po ndodh nga një skandal tjetër, duke përfshirë këtu edhe skandalin e largimit me dhunë të një zonje në Prizren.
Kjo Qeveri e pakicës për t’u ndalur duhet të rrëzohet me votë këtu në Kuvend. Andaj në emër të LVV-së duhet të theksoj se për ta bërë këtë na duhet një bashkim opozitar, po ashtu edhe qytetarë për t’i ndalur dëmet e kësaj Qeverie”, deklaroi ajo.
Për këtë, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besa Gaxherri, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se po punojnë vazhdimisht për këtë çështje me Vetëvendosjen, por që ende nuk i kanë 61 vota, aq sa duhen për ta rrëzuar Qeverinë dhe për këtë nuk mund ta sjellin mocionin në Kuvend, pasi nëse nuk i kanë votat, humbin mundësinë për një mocion të dytë.
“Nuk është që nuk po punojmë, ne çdo ditë po punojmë në atë drejtim, por votat e Vetëvendosjes nuk mjaftojnë për ta rrëzuar Qeverinë, nuk janë të mjaftueshme. Dhe ne po duhet të ecim në tehun, sepse nëse ne e bëjmë mocionin pa i pasur votat, ne ia zgjasim mandatin qeverisë edhe 6 muaj dhe ia humbim të drejtën vetes për të bërë një mocion tjetër. Prandaj ne po duhet të shkojmë sigurt, që kur t’i bëjmë 61 vota të shkojmë me mocion.
Dhe realisht ne i kemi 27, 19 Vetëvendosje dhe nuk bëjnë 61”, është shprehur ai.
Ndërsa, sa i përket PSD-së, për përkrahje për mocion, Gaxherri ka thënë se duhet të punojnë dhe me ta dhe të shohin.
“PSD nuk është deklaruar se do të na jep mbështetje, duhet të punojmë me ta prapë dhe të shohim se çka mund të bëjmë.
Është normale që në rend të ditës e kemi këtë, por pa i bërë votat nuk mund ta dërgojmë”, ka deklaruar deputetja Besa Gaxherri për “Bota sot”.
Lidhur me mocionin, në një nga seancat e Kuvendit të Kosovës, deputeti i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, i ka thënë atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, se kur VV t’ia kërkojë nënshkrimet Listës Serbe për rrëzim të qeverisë, atëherë edhe PSD-ja do të jetë e gatshme që t’ua japë ato.
“Glauku tha që jemi të gatshëm me e rrëzu qeverinë nëse urdhrin e jep Vuçiqi.
Dil merri nënshkrimet e Listës Srpska, i ke nënshkrimet edhe të PSD-së menjëherë. PSD është e gatshme t’ua japë nënshkrimet për të shkuar vendi në zgjedhje, mirëpo jo për të bërë lojëra politike siç po bëni ju pa e pasur shumicën, dhe pa qenë të gatshëm për të shkuar dhe ia marrë nënshkrimet Listës Serbe”, ka thënë Krasniqi
“Atë ditë që jeni të gatshëm të shkoni t’i merrni nënshkrimet prje Listës Serbe, jemi të gatshëm t’ua japim nënshkrimet”, është shprehur ai.
E këtë qëndrim vazhdojnë ta mbajnë ende. Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Bota sot”, Shkodran Hoti, zëdhënës i kësaj partie, i cili thotë se për mocionin ka vetëm deklarata dhe jo iniciativë.
“Nuk ka pasur asnjë iniciativë për mocion. Nuk ia vlen me u deklaru përderisa ka vetëm deklarata nga ana tyre”, është shprehur ai.
Hoti thekson se edhe nëse PSD e përkrah mocionin, prapë nuk i kanë numrat.
“Edhe me neve nuk i kanë numrat. Prandaj është veç lojë fjalësh e tyre. Është matematikë e thjeshtë. VV e LDK kanë mbetur nën hije, e sa herë s’kanë çka thonë, po flasin për zgjedhje”, ka deklaruar Shkodran Hoti për “Bota sot”.
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Fadil Lepaja, duke folur për gazetën “Bota sot” për këtë çështje, ka thënë se ndarja e Vetëvendosjes ka krijuar situatë komplekse për opozitë.
“Thyerja e Vetëvendosjes ka krijuar një situatë shumë komplekse për opozitën dhe përafrimi i tyre është vështirë i mundshëm për shkak të divergjencave të mëdha dhe për shkak të interesave të tyre”, vlerëson ai.