Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami i shoqëruar nga udhëheqësia më e lartë e partisë, sonte realizoi takim me strukturat partiake në Çair.
Takimin e hapi kryetari i degës të Çairit i cili në emër të degëve të Shkupit i falenderoi të gjithë të pranishmit dhe theksoi se edhe përkundër sfidave që kaloi Lëvizja Besa, tashmë po rikthehet edhe më fuqishëm në skenën politike duke mbrojtur interesat e shqiptarëve. Të pranishmëve ju drejtua edhe nënkryetari i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi i cili rikujtoi se Lëvizja Besa është e ndërtuar mbi idenë, misionin dhe vizionin për të mbrojtur interesat e shqiptarëve dhe jo për të bërë pazare për të siguruar pozita individuale në pushtet ashtu si vepruan disa që tradhëtuan votuesit dhe idealin e Lëvizjes Besa.
Poashtu në këtë tubim foli edhe nënkryetari dhe deputeti Fadil Zendeli i cili tregoi se pas gjitha ndodhive, Lëvizja Besa nga pozicioni i saj si parti opozitare do ngrejë zërin për çdo politikë të gabuar të pushtetit aktual. Ai tha se Lëvizja Besa është zëri i shqiptarëve në Maqedoni.
Fjalimin përfundimtar në këtë takim e pati lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami i cili theksoi se prezenca masovike në këtë takim demanton zërat se Besa është e Tetovës apo e Shkupit, por përkundrazi sonte në Çair dëshmohet se Besa është e të gjithë shqiptarëve që nga Manastiri, Struga e deri në Likovë.
Përndryshe, me rastin e muajt të Ramazanit, Lëvizja Besa sonte shtroi iftar për strukturat e saj në Shkup.