Athina akoma nuk i ka njoftuar BE-në dhe NATO-n se mbështet fillimin e negocitave për anëtarësim të Shkupit. Ndonëse sipas Marrëveshjes për emrin sapo Kuvendi ynë ta ratifikojë marrëveshjen Greqia do të duhet t’i shkruajë këtyre entiteteve ndërkombëtare, duket se çështje të tjera të brendshme kishin prioritet në agjendën e sotme të Qeverisë greke. Gjithsesi reagimet për marrëveshjen nuk kanë të ndalur. Lideri i partisë “Grekët e Pavarur”, Panos Kamenos jo vetëm që nuk do ta votojë por kërkon që në vend se me 151 vota, marrëveshja të kalojë me 180.
Nuk pajtohemi me Marrëveshjen, kërkojmë 180 deputetë dhe publikisht zotohemi ta pengojmë ratifikimin e Marrëveshjes në kuvendin grek. Nëse Cipras nuk e pranon propozimin për 180 deputetë, atëherë ne nuk do të qëndrojmë në Qeveri – tha Panos Kamenos, Grekët e Pavarur.
Kamenos ndër tjerash i drejtoi pyetje partisë më të madhe opozitare, Demokracisë së Re nëse mbështet ose jo një emër të përbërë, erga omnes. Nga Demokracia e Re me kundërpërgjigje të prerë.
Kuptohet se Demokracia e Re nuk do ta ratifikojë Marrëveshjen, çfarëdo shumice të zgjedhin Cipras dhe Kamenos. Bashkë e nënshkruan dhe tërësisht e mbajnë përgjegjësinë për punët e kryera që tashmë u krijuan si barrë mbi Greqinë. Është e domosdoshme që sa më parë të mbahen zgjedhje – thonë nga Demokracia e Re.
Ndërkohë për liderin e partisë opozitare E Majta Demokratike Marrëveshja ka më shumë elemente pozitive.
Marrëveshja lëviz në drejtim pozitiv, ka më shumë çështje pozitive, siç është për shembull emri i përbërë, ndryshimi kushtetues, çështja e irredentizmit. Ekzistojnë edhe çështje negative, siç është gjuha dhe shtetësia – theksoi Tanasis Teoharopulos, e majta demokratike.
Pavarësisht qëndrimeve kundër marrëveshjes, partia në pushtet, Syriza është e bindur se do të ketë shumicën e nevojshme parlamentare për ta ratifikuar Marrëveshjen, pasi Shkupi të përfundojë me referendumin dhe ndryshimet kushtetuese./am/