Në turin e tij historik në Lindjen e Mesme, princi William është takuar me liderin palestinez Abu Mazen. Gjatë bashkëbisedimit, Mazen është shprehur se palestinezët duan të jetojnë në paqe dhe siguri me Izraelin, sipas kufijve të vitit 1967.
“Duam të arrijmë paqen përmes negociatave dhe pozicioni i hershëm i palestinezëve nuk ka ndryshuar”, ka thënë Mazen.
Më tej, kreu i Autoritetit Palestinez ka shprehur dëshirën, që duka i Kembrixhit të kthehet sërish në Bregun Perëndimor, pasi të ketë fituar pavarësinë.
“Besojmë se ky takim do të përforcojnë miqësinë mes dy popujve, pasi kemi gjithmonë nevojë për mbështetjen britanike për kauzën tonë të drejtë”, ka vijuar Mazen.
Pas takimit me liderin palestinez, princi William ka zhvilluar një takim po në Ramallah, me figura të kulturës palestineze. (gazeta-Shqip.com)