Sipas rezultateve të një studimi ndërkombëtar të realizuar nga ekspertët, SHBA-ja është shteti i vetëm perëndimor i cili ka hyrë në vendet e para në listën “e vendeve më të rrezikshme për gratë në botë”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Rezultatet e studimit të zhvilluar nga Fondacioni Thomson Reuters me qendër në Britani të Madhe me 440 ekspertë të cilët hulumtojnë gjendjen e grave në gjithë botën, zbuluan të dhëna interesante.
Sipas studimit, në listën e “shteteve më të rrezikshme për gratë”, ku në vendin e parë është India, SHBA-të u radhitën në vendin e 10-të.
Pas Indisë, në listë u radhitën Afganistani, Siria, Somalia, Arabia Saudite, Pakistani, Republika Demokratike e Kongos, Jemeni dhe Nigeria.
Ndërsa SHBA-ja, e cila u radhit në vendin e 10-të pas Nigerisë, u bë shteti i vetëm perëndimor që hyri në listën e 10 vendeve të para më të rrezikshme për gratë.
Në studim SHBA-ja vlerësohet në kategorinë “e rrezikshme” për gratë në kategoritë si ngacmimi seksual përfshirë edhe abuzimin dhe problemet në drejtësi si ato gjatë proceseve gjyqësore në lidhje me dhunën dhe krimet seksuale.
Ekspertët të cilët morën pjesë në studim vunë në dukje se ky studim ka bërë që opinioni publik, sidomos në SHBA, t’i kushtojë më shumë vëmendje krimeve që kanë të bëjnë me ngacmimet seksuale, duke shtuar se pas kësaj SHBA-ja do të ndiqet nga afër për këtë çështje.
Në SHBA gjatë viteve të fundit është parë një rritje serioze e akuzave për abuzim dhe ngacmim seksual, sidomos ndaj të famshmëve të Hollywood-it. Akuzat ndaj producentit Harvey Weinstein ishin shndërruar në një fushatë ndërkombëtare të quajtur “MeeToo”.