Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës me atë të Maqedonisë pritet të mbahet së shpejti, pasi që pothuajse të gjitha përgatitjet nga pala kosovare kanë përfunduar.
Ky do të jetë takimi i parë i kabinetit të Kosovës me atë maqedonas të Zoran Zaevit, në të cilin dy qeveritë do të nënshkruajnë një mori marrëveshjesh bilaterale, shkruan Indeksonline.
Për këtë takim, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj thotë se sa i përket pjesës përmbajtjesore të pakos së marrëveshjeve që do të nënshkruhen, puna kryesore ka përfunduar.
Ai në një prononcim për Indeksonline ka theksuar se tani një pjesë e tyre janë në fazën e përfundimit të procedurave të brendshme në vendet respektive.
“Jam i kënaqur me dinamikën e organizimit, të koordinimit dhe takimeve që kemi zhvilluar mes dy ekipeve koordinuese që nga janari i këtij viti duke realizuar vizita të ndërsjella në Shkup, Prishtinë dhe Kaçanik”, ka thënë Hoxhaj.
Sipas tij, janë rreth 15 marrëveshje që pritet të nënshkruhen nga fusha e drejtësisë, sigurisë, shëndetësisë, ekonomisë e deri tek marrëveshja për njohjen reciproke të patentë shoferëve mes të dyja vendeve.
Një zhvillim tjetër shumë i rëndësishëm me të cilën Hoxhaj është marr prej ditës së parë, është rikthimi në agjendë i një projekti pothuajse të vdekur mes dy vendeve që ka të bëjë me hapjen e pikës së përbashkët kufitare Stançiq-Bellanoc, sipas modelit IBM, e cila është e para e këtij lloj mes dy vendeve dhe ndërtimi do të financohet nga ana e BE-së.
“Prandaj, jam i lumtur të konfirmoj shumë shpejt do të fillojnë punimet dhe do ta lehtësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve në dyja anët e kufirit të rajoneve të Gjilanit e Kumanovës, si dhe më gjerë”, ka shtuar Hoxhaj.
Sa i përket kohës se kur do të zhvillohet takimi, zv/kryeministri shprehu besimin që një e tillë do të ndodh gjatë këtij muaji.
“Jemi në fazat e fundit të koordinimit të agjendës dhe caktimit të datave. Po shohim një ditë që u përshtatet edhe agjendave të kryeministrave dhe qeverive tona meqë nuk ka ndonjë pengesë tjetër për tu mbajtur. Po synojmë që gjatë qershorit ta kemi një datë nëse i përshtatet edhe palës maqedonase meqë qeveria në Shkup mund të ketë një agjendë tjetër intensive që lidhet me negociatat për emrin dhe hapjen e negociatave me BE-në për anëtarësim”, ka theksuar Hoxhaj.
Ndonëse dy vendet akoma nuk kanë folur për ndonjë vend specifik se ku do të mbahet mbledhja, Hoxhaj tha se pala kosovare synon që ajo të mbahet në Maqedoni.