Nuk është rastësi që Singapori u zgjodh si vendi ku do të organizohet samiti historik midis presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un. Një arsye kryesore: ky qytet-shtet është jashtëzakonisht i sigurt dhe i kontrolluar shumë. Në fakt, ka një nga nivelet më të ulëta të krimit në botë. Kjo është pjesërisht për shkak të sistemit gjithëpërfshirës të kontrollit të vendit, siç raporton nga Singapori korrespondenti Bill Gallo i Zërit të Amerikës.
Singapori e prezanton veten si i pari “komb inteligjent” në botë. Dhe është e lehtë të kuptohet pse.
Ky është një vend shumë i lidhur nga ana dixhitale. Një sondazh i kohëve të fundit tregon se singaporanët shpenzojnë pothuajse 13 orë në ditë me pajisjet e tyre dixhitale.
E gjithë kjo teknologji e bën shumë të lehtë që strukturat qeveritare të mbikqyrin qytetarin. Një mënyrë për ta bërë këtë, është me kamerat e vëzhgimit. Në fakt, pavarësisht se ku ndodheni në Singapor, nuk ka nevojë të vështroni shumë larg për të parë se dikush po shikon.
Ka kamera kudo këtu. Dhe sigurisht, kjo nuk është domosdoshmërisht e pazakontë për një vend.
Por në Singapor, qeveria mund të përgjojë qytetarin – duke përfshirë monitorimin e telefonatave, emaileve dhe diskutimeve të tjera private – pa urdhër gjykate.
Kjo bën që Singapori të jetë vendi i përsosur për të organizuar një samit delikat ndërkombëtar.
“Singapori mund të garantojë se nuk do të ketë protesta kundër Donald Trump-it. Nuk do të ketë as protesta kundër Kim Jong Un-it. Nuk do të ketë kërcënime sigurie, sepse gjithçka do të jetë nën mbikëqyrje të vazhdueshme” thotë Phil Robertson, i organizatës “Human Rights Watch”.
Singapori ka një nga nivelet më të ulëta të krimit në botë. Sipas organizatës Gallup, singaporanët raportuan se ndiheshin më të sigurt se banorët e ndonjë vendi tjetër për pesë vjet rresht.
Stabiliteti ndihmon në krijimin e begatisë, duke e bërë Singaporin një kryeqendër globale financiare. Por nuk është e gjitha fushë me lule.
“Pa diskutim që këto mjete përdoren për luftimin e krimit, siç thonë edhe vetë autoritetet. Por ato përdoren edhe për arsye politike. Autoritetet duan të kontrollojnë se çfarë bën opozita, çfarë bëjnë aktivistët”.
Aktivistë si Jolovan Wham, një nga kritikët më të shquar të qeverisë së Singaporit.
“Ai që është aktivist apo politikan, duhet ta marrë me mend se gjithçka që thotë apo bën, madje edhe bisedat me e-mail me miqtë, kontrollohen nga autoritetet. Sepse mbikëqyrja është pjesë e jetës në Singapor, veçanërisht për dikë që kritikon partinë në pushtet” thotë ai.
Wham u akuzua vitin e kaluar për organizimin e protestave të paautorizuara. Zëri i Amerikës foli me aktivistin në parkun Hong Lim, i vetmi vend në Singapor ku lejohen protestat – me kusht që të kesh siguruar leje.
“Këtu në parkun Hong Lim, ka kamera kudo. Pra, sistemi synon të mbjellë frikë dhe çensurë”.
Qeveria nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.
Në përgjithësi ka shumë pak disidencë kundër partisë në pushtet, e cila për dekada ka dominuar politikën në Singapor.
Një nga vendet më të bukura në botë – me shumë begati por dhe shumë siguri.