Pentagoni është duke shqyrtuar kostot e largimit apo të një transferimi të ushtarëve amerikanë që ndodhen në Gjermani, kontigjenti më i rëndësishëm jashtë SHBA-së, njoftoi sot e përditshmja “Washington Post”.
Kjo ide është përmendur edhe më parë nga presidenti amerikan, Donald Trump gjatë një mbledhje me përgjegjësit ushtarakë, duke shkaktuar shqetësim në shumë vende europiane anëtare të NATO-s, që nuk e kuptojnë nëse Trump është serioz apo synon të rrisi presionin para një samiti të Organziatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut në Bruksel, më 11 dhe 12 korrik.
Ai i ka dërguar një letër shtatë vendeve të Aleancës, mes të cilave edhe Gjermanisë, për t’i kujtuar mbi angazhimin e tyre që t’i dedikojnë 2% të Produktit Kombëtar Bruto shpenzimeve ushtarake deri në vitin 2024.
Gjermania, marrëdhëniet e të cilës me Uashingtonin janë tensionuar muajt e fundit, ka njoftuar se nuk mund ta mbajë premtimin e saj.
Mes mundësive të shqyrtuara figuron riatdhesimi në SHBA i një pjese të madhe të trupave, që përfshin rreth 35 000 ushtarë aktivë dhe transferimin të të gjithë ose një pjese të kontigjentit në Poloni, një aleat politik që Donald Trum e citon si model për përmbushjen e objektivit të kërkuar të 2%.