Ballina Aktualitet Opinione Unë nuk vi në varrimin tënd, Fadil Vokrri

Unë nuk vi në varrimin tënd, Fadil Vokrri

Blerim Gashani

Sot shqiptarët, por jo vetëm ata, po të përcjellin për në përjetësi, Fadil Vokrri. Kosova ka ditë zie dhe të gjithë shqiptarët, po ashtu. Kosova po të nderon ashtu sikur e ke nderuar ti. Po të përcjell me varrim shtetëror, ashtu si e meriton ti. Jo vetëm sportdashësit, jo vetëm dashamirët e futbollit, jo vetëm sportistët e tifozët, por tërë shqiptaria po të nderon sot, ashtu si ti e ke nderuar atë gjatë gjithë jetës tënde.

Jetës tënde të shënuar në sukses, në shkëlqim, në rrezatim! Të gjithë po të përcjellim me lot, me dhembje, me boshllëk në zemër, por edhe me krenari. Me krenari që ishe yni. Që je yni. Që do të jesh yni, përjetë!

Por…

Por, unë nuk do të vi në varrimin tënd. Nuk mundem, po sidomos nuk dua.

Në traditën tonë është një moment kur pasi ka vdekur dikush, familja e sidomos miqtë e dashamirët radhiten e shohin të ndjerin/ndjerën para se ta dërgojnë trupin te varret. Thuhet ‘me i ra për ftyre’, d.m.th. me u pa për të fundit herë me atë që po kalon në botën tjetër. Një përshëndetje, një lamtumirë e fundit.

Njëri ndër njerëzit e mirë dhe intelektualët e dalluar të Kosovës, një historian i njohur dhe një njeri i mirë i Kosovës, kishte refuzuar ta përcjell këtë zakon. Kishte thënë se përshëndetja, kontakti i fundit me njerëzit e dashur ishte si një prerje në mes botëve. Ishte një imazh i ngrirë, i vulosur. Ai imazh, thoshte mençuraku, pastaj pushtonte krejt kohën.

Fshinte kujtimet tjera. Vriste imazhet tjera, çastet tjera, sidomos kujtimet e mira dhe të këndshme. Krejt çfarë mbetej dhe përpiqej të ketë pushtet absolut, ishte çasti i fundit, çasti i mortjes. Prandaj, ky njeri i mirë kishte refuzuar të përshëndetej me të dashurit e tij – sepse donte t’i kujtonte të gjallë, të shëndetshëm, të lumtur e plot jetë.

Edhe unë ashtu dua të të kujtoj, Fadil Vokrri!

Dua të të kujtoj si heroin e fëmijërisë sime, duke djersitur fanellën e Klubit Futbollistik Prishtina, i cili ishte shumë më shumë se klub dhe që ushqente shumë dashuri tjera përveç futbollit.

Dua të të kujtoj si liderin e një gjenerate të artë, shpresëdhënëse dhe shpresëkthyese për Kosovën.

Dua të të kujtoj të shëndetshëm, të gjallë, të fortë, energjik, pozitiv, optimist, të dashur, të ngrohtë.

Dua të të kujtoj si liderin e Prishtinës, që dridh stadiumet e Jugosllavisë dhe që i ngroh zemrat tona.

Dua të të kujtoj si futbollistin më të mirë shqiptar të të gjitha kohërave.

Dua të të kujtoj si qendërsulmuesin e Jugosllavisë dhe a e dini se çfarë domethënie ka pasur në fund të viteve ‘80-të të shekullit të kaluar të kesh një shqiptar qendërsulmues të Jugosllavisë (digresion: është dashur që Vokrri të jetë nja dy-tri shkallë më i mirë se rivalët e tij në të njëjtën pozitë, përndryshe kurrë nuk do t’i afrohej atij vendi).

Dua të të kujtoj si futbollistin më të mirë të Jugosllavisë, në gjysmën e dytë të viteve ‘80-të – një gjë e pabesueshme deri atëherë për etninë që stereotipin e vetëm e kishin sharraxhi, qymyrxhi e fshesarë rrugësh.

Dua të të kujtoj kur ua tundje rrjetat ekipeve me fanellën e Prishtinës, derisa ua tundje rrjetën dhe sidomos trurin kriminal tifozëve të Zvezdës kur kishe fanellën e Partizanit dhe dua të të kujtoj kur tundje rrjetën e irlandezëve, dy herë gjatë një nate të magjishme, kur edhe ne shqiptarët e Kosovës po ndjeheshim të gjallë, të fortë, të barabartë me të tjerët.

Dua të të kujtoj si udhëheqës të futbollit të Kosovës së pasluftës dhe si një figurë që kishte ndikim të gjallë tek të gjithë, edhe te vendorët edhe te ndërkombëtarët.

Dua të të kujtoj si vigan që pesë pare nuk i dhe për sharlatanët, parazitët, folkloristët dhe mafinë e futbollit, në të katër anët kah jetojnë shqiptarët.

Dua të të kujtoj me emocionet në fytyrën tënde kur Kosova po pranohej në UEFA dhe FIFA.

Dua të të kujtoj si kreshnik, si gjigant, si hero.

Dua të të kujtoj si simbolin e Kosovës.

Prandaj, më fal, por nuk do të vi në varrimin tënd! Sepse dua të të kujtoj duke vrapuar, duke ecur, të shëndetshëm, optimist, pozitiv dhe hero të gjallë të Kosovës.

Dhe, ashtu do të të kujtoj.

Sa të kem frymën!