Procesi gjyqësor për 27 prillin do të zhvillohet me shpejtësi të dritës. Gjykatësja e lëndës, Dobrilla Kacarska, seancën e parë e ka caktuar më 22 gusht. Dokumentin që ka siguruar Alsat M, seanca gjyqësore për dhunën në Kuvend ku akuzohen 30 persona veprën “rrezikim terrorist i rendit kushtetues” do të ketë pothuajse çdo ditë. Në rast se seancat gjyqësorë zhvillohen me dinamikën e paraparë, vendimi gjyqësor mund të shqiptohet përafërsisht deri në fund të vitit. Më 27 mars, Prokuroria për krim të organizuar ngriti akuzë kundër 30 personave për ngjarjet e përgjakshme në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, të gjitha rastet e dhunës kanë epilog gjyqësor. Moment të ri paraqet vendimi i Gjykatës së Apelit, që 9 të dënuarit për dhunën në Kuvend që pak ditë pas zhvillimeve të përgjakshme, Gjykata Penale i dënoi me kusht, mbi ankesën e Prokurorisë Publike, që të 9 kthehen në burg efektiv. 7 prej tyre dënohen me nga 1 vit burg, njëri me 8 muaj ndërsa i fundit me 1 vit e gjysmë. Paraprakisht Gjykata Penale dënoi me 4 vite burg Pançe Angellovsin me akuzën për dhunë ndaj ministres së Mbrojtjes, Radmilla Shekerinskas.
Më 20 qershor të vitit kaluar Prokuroria Publike njofton se lënda për 27 prillin do të hetohet në dy pista. Veçmas dhunës, Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion do ta marr një pjesë të lëndës duke u bazuar në konstatimet se në natën e përgjakshme ka pasur krim të organizuar. Ndërkaq më 28 nëntor 2017, me urdhër të Prokurorisë Publike, policia arreston Mitko Çavkovin, deputetët e VMRO-DPMNE-së, organizatorët e protestave Bogdan Ilievski dhe Boris Damovski, ish drejtorin e Operës dhe Baletit, Igor Durllovski dhe dhjetëra persona të tjerë. Deputetët u lanë të lirë për shkak të imunitetit, ndërsa personat tjerë bashkë me Mitko Çavkov përfunduan në burgn hetues të Shutkës.
Tre ditë më pas, Kuvendi miratoi heqjen e imunitetit për 6 deputet të VMRO-DPMNE-së. Në dhjetor, Gjykata Penale caktoi masën e paraburgimit 30 ditorë për tre deputet të VMRO-DPMNE-së si të dyshuar për “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”. Prapa grilave në burgun e Shutkës për 30 ditë do të qëndrojmë deputetët Kërsto Mukoski, Sashe Vasilevski dhe Ljuben Arnaudov. Për deputet Zhaklina Peshevska, Lupço Dimovski dhe Johan Tarçullovski, Gjykata caktoi masën e arrestit shtëpiake. Të gjithë të lartpërmendurve, pas ankesave dhe garancive të ofruara, u është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak. Aktualisht, para fillimit të gjykimit, VMRO-DPMNE-ja paralajmëron ligj të ri për amnisti për të gjithë të akuzuarit për zhvillimet e përgjakshme në Kuvend më 27 prill të 2017-ës.
Adrian Kerimi