Kancelarja gjermane, Angela Merkel, beson se Mesut Ozil është një lojtar fantastik, i cili ka bërë shumë për kombëtaren e Gjermanisë, ndaj bëri thirrje për respektimin e vendimit të tij për t’u pensionuar nga angazhimi ndërkombëtar me fanellën e “Mannschaft”, nisur nga kritikat e javëve të fundit.
“Kancelarja e vlerëson shumë mirë Mesut Özil. Ai është një lojtar fantastik i futbollit, i cili ka bërë shumë për ekipin kombëtar, – tha një zëdhënëse e qeverisë gjermane. – Mesut Özil tani ka marrë një vendim, që duhet respektuar”.
Lojtari i Arsenalit njoftoi të dielën fundin e karrierës së tij ndërkombëtare me kombëtaren e Gjermanisë, me të cilën u shpall kampion bote në vitin 2014.
Sidoqoftë, Ozil u vu në qendër të kritikave, kryesisht për shkak të fotos së bërë, bashkë me Ilkay Gundogan, me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Pastaj, në Kupën e Botës në Rusi, ai nuk ofroi futbollin e tij më të mirë, çka nxiti kritika të ashpra ndaj futbollistit me rrënjë turke.
“Gjermania është një vend kozmopolit dhe integrimi i njerëzve me një sfond të migrimit është objektiv kyç i qeverisë federale”, – tha zëdhënësja në lidhje me origjinën turke të “playmaker”-it, i cili iu referua “racizmit” dhe “fyerjeve” në njoftimin e vendimit të tij për t’u larguar përfundimisht nga “Mannschaft”./dita/