Kryeministri Rama e mbylli me një konferencë për mediat një vit të gjatë pune për “Platformën e Bashkëqeverisjes”.
Përkrah koordinatorëve të kësaj zyre online, Rama theksoi se ata janë krenaria e administratës publike dhe me eksperiencën e dijen e nevojshme po i asistojnë në mënyrën më të mirë njerëzve të zakonshëm.
Rama i kërkoi edhe njëherë qytetarëve që të eliminojnë radhët në institucione, të mos kërkojnë miq dhe parti, por në vetëm 3 minuta t’i japin zgjidhje problemeve të tyre.
“Mos u lodhni duke kërkuar miq dhe parti për të zgjidhur problemet në shtet, pasi me platformën qeveria bëhet “miku më i fortë” për ju. Kështu rritet vetëdija e atyre që punojnë në zyrat e shtetit, pasi kuptojnë se çdo qytetar mund t’i largojë nga puna kur ata nuk ju shërbejnë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë gjithashtu sqaroi se “Zyra e Bashkëqeverisjes” do të vazhdojë të funksionojë edhe gjatë pushimeve”. Kjo, “pasi është një punë që mund të bëhet në çdo ditë dhe garanton se nuk do të ketë asnjë moment luhatje dhe kushdo që do të kërkojë ndihmë do ta gjejë”.
Mes të tjerash ai tha se në fund të këtij mandati është vendosur si qëllim që titujt e pronësisë të jepen më shpejt përmes një programi dixhitalizimi.
“Në shtator jemi gati të lançojëm reformën që kemi filluar që të punojnë që verën e shkuar. Reformën e bashkimit të institucioneve të pronës, për të pasur një agjenci kombëtare të pronës. Për të mos shkuar e ardhur mes institucioneve, por për të pasur një institucion dhe një drejtim. Kjo reformë do të jetë rrënjësore dhe do të racionalizojë burimet njerëzore. Do të mundësojë një ecuri të shpejtë. Në fund të mandatit do të kemi një lehtësi për dhënien e titujve të pronësisë, përmes një programi dixhitalizimi”, tha Rama./dita/